Maqedoni
Zendeli: Për tre vite harmonizuam pensionet për 9%
02.03.2020 14:45
Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor, Shaip Zeneli, prezantoi arritjet e fondit në tre vitet e kaluara...

Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor, Shaip Zeneli, prezantoi arritjet e fondit në tre vitet e kaluara, mes tyre rritjen e pensioneve prej 9 për qind. Sipas tij, përderisa në vitin 2017 pensioni më i ulët ishte 9.063 denarë, i njëjti në vitin 2020 është 10.179 denarë.
“Për të gjithë ata të cilët pensionin e kanë realizuar përfundimisht në muajin dhjetor të vitit 2019, vlera e pensionit arrin harmonizimin plotësues prej 5.0%, gjegjësisht rritje në vlerë prej 722 denarë. Pensioni më i ulët për vitin 2020 ka arritur 10.179 denarë.”,- tha drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor, Shaip Zendeli.
Tashmë kanë hyrë në fuqi edhe ndryshimet ligjore të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me të cilin mundësohet që qytetarët vetë ta paguajnë kontributin për sigurim pensional dhe invalidor në rastet kur i njëjti nuk u është paguar nga punëdhënësi.
“Në raste të këtilla, ky ligj u mundëson të siguruarve që vetë të paguajnë kontributin për sigurim pensional dhe invalidor. Pagesa e kontributit do t’i dedikohet periudhës për të cilën i siguruari
dorëzon kërkesë për pagesën e kontributit, me kusht që ai paraprakisht të ketë qenë i paraqitur në sigurimin e detyrueshëm social.”,- u shpreh drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zendeli.
Pagesën e kontributit për sigurim pensional dhe invalidor mund ta kryejnë edhe anëtarët e familjes për shkak të realizimit të të drejtës për pension familjar. Ky ligj do të fillojë të zbatohet më 18 mars të këtij viti.
ERSAN PAJAZITI
