Maqedoni

Mbrojtja e ambientit jetësor, Nuredini: Ligjet të zbatohen njësoj për të gjithë

02.03.2020 15:18

Maqedonia e Veriut ka ligje të mira sa i përket mbrojtjes së ambientit jetësor...

Maqedonia e Veriut ka ligje të mira sa i përket mbrojtjes së ambientit jetësor, por ato nuk zbatohen njësoj për të gjithë, thotë ministri i ekologjisë, Naser Nuredini. Ai megjithatë pranon se shumë ligje ende duhen përmirësuar dhe harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian. 
 
“Ne jemi përgjegjës për ligjet, por inspektorët bëjnë inspektimin dhe Zyra e Prokurorit Publik monitoron më tej të gjithë procesin dhe realizon nëse është shkelur ndonjë ligj. Jo të gjitha ligjet u zbatuan në mënyrë të barabartë për të gjithë. Sipas mendimit tim, ligji duhet të  vlejë për të gjithë njësoj. Ekziston një listë e madhe e direktivave të BE-së që duhet të rishikohen dhe harmonizohen në ligjet tona.”,- deklaroi ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini. 
 
Kambovski: Të përgatitet revolucion i gjelbër
 
Ekspertët kërkojnë të punohet më shumë në ndryshimin e vetëdijes kolektive e institucionale për mbrojtjen e mjedisit.
 
“Çdo strukturë politike e cila do të marrë obligimin të udhëheq shtetin do të duhet të konsiderojë një të ashtuquajtur revolucion të gjelbër jo në rrugë, por në strukturat tona mentale, në pikëpamjet tona, për rëndësinë që ka ambienti dhe respektimi i standardeve të përgjithshme, por edhe ato ndërkombëtare, në konventa të shumta.”,- theksoi akademiku, Vlado Kambovski.
 
Sipas pjesëmarrësve në konferencë, debati për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe mbrojtjen gjyqësore për mjedis të shëndoshë, të mos i lihet në duar vetëm ministrisë së resorit, por në të të përfshihen të gjitha institucionet.                                                                        
 
REJHANE BUSHI METAJ