Botë

Taksa me Serbinë, Kurti: Taksa zëvendësohet nga reciprociteti. PDK pro heqjes, nuk i pëlqen qasja e Kurtit. AAK: Heqja e taksës përforcon Serbinë

02.03.2020 18:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, të thirrur me kërkesë të opozitës...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, të thirrur me kërkesë të opozitës, ka përsëritur qëndrimin se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet pjesërisht nga 15 marsi, ndërsa plotësisht nga një prilli. Taksa do të zëvendësohet me reciprocitetin, thotë Kurti. 
 
“Aplikimi i tarifës 100% u shfrytëzua nga ana e Kosovës u shfrytëzua si pretekst nga Serbia për të refuzuar dialogun, si rezultat i kësaj Kosova u bë subjekt i trysnisë ndërkombëtare, e në anën tjetër efekti i tarifës 100% ka qenë minimal, për shkak se nuk është zbatuar si duhet, qoftë përmes kontrabandës apo marrëveshjeve të fshehta siç është ajo për importim të energjisë elektrike.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
PDK është për heqjen e taksës, por qasja konfrontuese, sipas tyre, e  kryeministri Kurti ndaj NATO-n dhe ShBA-ve po dobëson Kosovën në raport me Serbinë, ende pa filluar dialogu.
 
"Ishte dhe është shqetësim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë po i japin mundësi Rusisë për influencë në Evropë.",- theksoi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
 
Nga AAK thonë se heqja e taksës përforcon Serbinë.
 
“Mos e largo taksën sepse në rast se ju e mbani taksën ne si opozitë do të jemi me ju, çdo lajkë në raport me Serbinë, Serbia vetëm do të forcohet e Kosova do të dobësohet.”,- theksoi deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
 
Por, AAK duket e vetme në këtë qëndrim, pasi edhe LDK dhe partitë tjera janë për heqjen e taksës. Pa marrë parasysh debatin në kuvend, vendimin përfundimtar për taksën i takon ta sjellë qeveria.
 
GYLTENE SINANI