Kulturë

ITSHKSHM shënoi Besëlidhjen e Lezhës, “besëlidhja të jetë frymëzim për politikanët e sotëm”

02.03.2020 20:17

Besëlidhja e Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, synoi 576 vjet më parë bashkimin e fisnikëve e principatave...

Besëlidhja e Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, synoi 576 vjet më parë bashkimin e fisnikëve e principatave dhe rimëkëmbjen e Mbretërisë së Arbrit. Sot kjo datë i gjen shqiptarët me një kulturë politike të avancuar, por fryma e unitetit që kjo ngjarje solli, duhet të jetë frymëzim edhe për këtë gjeneratë politikanësh, u tha në eventin kushtuar Besëlidhjes së Skënderbeut.
 
“Ne ky vit na gjen të përçarë duke luftuar për pushtet dhe jo për shtet, na gjen duke luftuar për materialen dhe jo për komb dhe jo të përgatitur për momentet historike.”,- tha drejtori i ITKSHSHM-së, Skender Hasani.
 
“Shpeshherë gjatë historisë ne si komb e kemi paguar shumë shtrenjtë mungesën e unitetit. Vetëm bashkimi rreth ideve kombëtare e bën një popull rezistent kundër çdo furtune që vjen nga jashtë.”,- u shpreh familjari i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.
 
“Na nevojitet një figurë tjetër përbashkuese e cila do të bashkojë politikën shqiptare, në mënyrë që të bëjmë të pamundurën që të ndalojmë eksodin e shqiptarëve.”,- theksoi Fatmir Limani - familjar i dëshmorit.
 
“Të krijojmë një besëlidhje të re për të çuar para identitetin tonë kombëtar si racë e integrueshme në trendet bashkëkohore të integrimeve evropiane dhe atlantike.”,- theksoi gjenerali, Hysen Berisha.
 
ITKSHSHM në këtë ditë me rëndësi historike shpalosi punën e  bërë për të ruajtur identitetin historik e kulturor të shqiptarëve, që përfshin hulumtimin dhe ndriçimin të traditës së pasur iluministe të familjes Qiriazi, hapjen e Departamentit për studimin e figurës së Nënë Terezës, duke hulumtuar edhe traditën e pasur të familjeve katolike në Shkup dhe gjetiu dhe hapjen e Departamentit për studimin dhe edukimin e Holokaustit, si dhe promovimin e titujve të rinj shkencorë.
 
“Në promovimin e dy numrave të kalendarit albanologjik i cili është botuar ditë më parë dhe është edicion i ri i ITSHKSHM–së është një  fryt i një pune ambicioze të punëtorëve shkencorë në veprimtari të shumta.”,- tha bashkëpunëtori i ITSHKSHM-së, Nebi Dervishi.
 
“Ky drejtor ka hapur shumë qendra që do bëjnë hulumtime për Holokaustin, Nënë Terezën edhe disa drejtime që nuk ishin të parapara me statut që kur është hap instituti.”,- deklaroi bashkëpunëtori i ITSHKSHM-së, Avzi Mustafa.
 
“Kjo veprimtari publikuese është fokusuar në begatimin dhe afirmimin e simboleve identitare nëpërmjet figurave  historike që janë flijuar në altarin e lirisë, apo në vijën e ruajtjes së qenësisë identitare.”,- u shpreh bashkëpunëtori i ITSHKSHM-së, Izaim Murtezani.
 
Puna që aktualisht po kryen Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup nga punonjësit e saj shihet si mision, sepse bazat e mirëfillta të një shoqërie të formuar mbështeten në programet shkencore e kulturore të institucioneve, u tha me këtë rast.
 
FLUTURA LATIFI