Botë

Kriza e re e refugjatëve, Erdogan: Ne i hapëm kufijtë, Europa të veprojë. Ursula Von Der Leyen: Veprimi i Turqisë nuk është zgjidhje për krizën

02.03.2020 20:39

Që kur Turqia hapi kufijtë për refugjatët sirianë, situata në kufirin me Greqinë është përshkallëzuar ndjeshëm...

Rreth 10.000 refugjatë kanë ngecur midis dy kufijve shtetërorë. Rojet kufitare turke i lënë të kalojnë, por  Greqia nuk i lejon të hyjnë.
 
Për të ndaluar refugjatët nuk u kursye madje as gazi lotsjellës. 68 persona janë arrestuar. Përshkallëzimi i situatës në kufirin greko-turk tregon se Ankaraja e ka seriozisht me përfundimin e prishjes së marrëveshjes së refugjatëve.
 
"1.5 milionë refugjatë do t’i drejtohen kufijve tanë pas eskalimit të situatës në Idlib. Ata po na japin barrë më të madhe. Unë e paralajmërova Europën  se nëse nuk e ndajnë këtë përgjegjësi me ne, Turqia do të hap kufijtë. Ata na anashkaluan, menduan se ne po tallemi. Dhe tani,  vazhdimisht po na kërkojnë  të mbyllim dyert. Ne i treguam se kjo nuk do të ndodhë më. Europa do të marrë përgjegjësinë e saj në këtë situatë.”,- tha presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Zyrtarët më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian, të martën do të qëndrojnë në kufirin grek, si shenjë mbështetjeje për qeverinë e Athinës e cila përballet me numrin në rritje të refugjatëve. 
"Sfida me të cilën Greqia po përballet tani është një sfidë evropiane. Unë e di që Turqia është në një situatë të vështirë sa u përket refugjatëve dhe migrantëve, por ajo që ne shohim tani nuk mund të jetë përgjigjja dhe zgjidhja.",- tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
 
Në ishujt  grekë Lesbos, Chios dhe Samos, pritet ardhja e anijeve të reja  nga brigjet turke. Bëhet fjalë për emigrantë që kanë pritur prej vitesh të udhëtojnë drejt Europës. Situata në ishuj është e rënduar.
 
Vetëm në Lesbos aktualisht jetojnë rreth 25.000 refugjatë në kushte johigjienike në kaso total. Kundër kampeve të reja kanë dalë edhe vetë banorët e ishujve grekë.
 
LEUNORA KALIQI