Maqedoni
Rasti "Zhvatja", u dëgjuan tre dëshmitarë të mbrojtjes
03.03.2020 15:11
Me dëshmitarë të mbrojtjes të propozuar nga i akuzuari, Bojan Jovanovski....

Me dëshmitarë të mbrojtjes të propozuar nga i akuzuari, Bojan Jovanovski, ka vazhduar gjykimi për rastin “Zhvatja”. Si pronarja e optikës, Marija Jankovska , e cila dëshmoi se i ka dhuruar Jovanovskit syze pa pagesë, ashtu edhe dëshmitari, Alek Krtov, pronar i galerisë, theksoi se pikturat e artit që ndodhen në shtëpinë e tij në Orman ia ka dhuruar pa pagesë, me qëllim t’i promovojë të njëjtat, pasi që në shtëpinë e tij kanë ardhur figura të njohura.
"Te Jovanovski vinin persona të njohur. Ai e rregullonte banesën, i dërgova 8 piktura arti, ia dhashë, por në çdo kohë kam mundur t’i kthej prapa. Këto piktura nuk ishin të blera, por vetëm qëndronin në banesën e tij.",- dëshmoi Krtov.
Pas tij, dëshmoi stilisti, Sergej Varoshlija, i cili tha se për 15 vite e njeh Jovanovskin si bashkëpunëtor dhe shok. Varoshlija tha se një pjesë të garderobës së brenduar që posedon Jovanovski i është dhuruar, pasi e kanë cilësuar si figurë të veçantë. Në momentin kur Varoshlija theksoi se një pjesë të madhe të garderobës Jovanovski e ka të dhuruar, Ruskoska rikujtoi se prokuroria posedon si dëshmi llogari fiskale për veshjet e brenduara. Dëshmitari theksoi se ditën e arrestimit, ai, Jovanovski dhe disa shokë të tjerë ishin nisur për pushime.
“Unë me përgjegjësi vërtetoj para të gjithë ju dhe opinionit se Jovanovski nuk kishte absolutisht për qëllim të arratiset nga shteti. Me pesë persona në veturë, me bileta të aeroplanit kthyese, akomodim të rezervuar dhe gjithçka të organizuar. Dokumentet ekzistojnë dhe ajo tregon se me të vërtetë u nisëm në pushime.”,- tha dëshmitari, Sergej Varoshlija.
Para trupit gjykues, Varoshlija theksoi se në shtëpinë e Jovanovskit një herë ka takuar Ana Kamçevën dhe Zoran Milevskin. Për ish prokuroren speciale, Katica Janeva, theksoi se nuk e ka vërejtur në prani të Jovanovskit, Milevskit dhe Kamçevës.
Gjykimi për "Zhvatjen" me dëshmi të mbrojtjes vazhdon nesër.
FLORIJE BELULI KAMBERI
