Maqedoni

Pendarovski dhe Shekerinska: Jemi të përgatitur për valë të re migrantësh

03.03.2020 15:46

Policia dhe Armata kanë rritur kapacitetet e sigurisë në kufirin jugor dhe të gjitha organet kompetente...

Policia dhe Armata kanë rritur kapacitetet e sigurisë në kufirin jugor dhe të gjitha organet kompetente po ndjekin gjendjen me valën e paralajmëruar të migrantëve. Kështu vlerësoi kryetari, Stevo Pendarovski, i cili shtoi se deri në këto momente nuk ka rritje të numrit të migrantëve ilegalë dhe se presioni kryesor është në kufirin greko-turk të cilin sot do ta vizitojnë përfaqësues të lartë të BE-së.                                                     
 “Nëse mundemi që me nota të larta të menaxhojmë krizën në vitin 2015 dhe 2016 kur transituan 1 milion e 300 mijë njerëz përmes territorit tonë, tani mos dhëntë Zoti të vijë deri te një situatë e tillë, por ne jemi të përgatitur dhe këtë nuk do mund ta realizojmë të vetëm, por me bashkëpunim me shtetet partnere në kuadër të NATO-s dhe me fqinjin tonë, Greqinë, sepse nëse ka valë të migrantëve, ata do të kalonin Turqinë, Greqinë, për të vazhduar nga veriu.”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
                 
Edhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, konfirmon se gjendja në kufirin jugor të vendit është stabile. Ajo theksoi se gjatë javës së kaluar kanë filluar përgatitjet e rritjes së prezencës së policisë dhe armatës në linjën kufitare për shkak të rritjes së numrit të migrantëve në kufirin turko-grek.
 
“Për momentin presioni në kufirit tonë nuk është i shprehur si më parë, presioni kryesor është në kufirin greko-turk. Është fakt se shkakton tërheqje të caktuar të forcave greke të fokusohen në kufirin turk dhe kjo shkakton lëvizje të emigrantëve të cilët veç më kanë qenë në Greqi drejt veriut në BE-së.”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Shekerinska njëherit theksoi se rreth kësaj çështje organet e sigurisë në vend kanë komunikim edhe me “Fronteksin”, pjesëtarët e të cilit janë të pranishëm në kufirin jugor. Autoritetet e vendit shpresojnë se shtetet e mëdha të gjejnë zgjidhje për kontestin mes BE-së dhe Turqisë, sa i përket marrëveshjes për migrantët, të cilën Ankara refuzoi ta respektojë, duke e akuzuar Unionin se nuk ka plotësuar obligimet e saj dhe nuk ka paguar ndihmën financiare të premtuar. Në rast se do ketë valë më të madhe të migrantëve, nuk përjashtohet mundësia që vendi të kërkojë edhe ndihmë ndërkombëtare.
 
FLUTURA LATIFI