Maqedoni

Spasovski dhe Filipçe, vizitë në vendkalimin kufitar Tabanoc

03.03.2020 16:43

Kryeministri, Oliver Spasovski, dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe...

Kryeministri, Oliver Spasovski, dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, vizituan vendkalimin kufitar  në Tabanoc, për të parë nga afër implementimin e masave për mbrojtjen nga virusi Korona nga pjesëtarët e policisë dhe doganave.
 
“Ka qytetarë që kanë qenë në veri të Italisë dhe që nuk respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga virusi Korona, paraqiten në vendet  e punës. Kjo është në ndërgjegje të qytetarëve dhe kjo është arsyeja pse ne dërgojmë një mesazh se momenti më i rëndësishëm është vetëdija dhe ajo që duhet të bëjmë për shtetin në këtë moment, sepse jemi shumë të fortë kur shteti duhet të bëjë diçka për ne. Ne bëjmë thirrje që të respektohen masat parandaluese.”,- tha kryeministri i Qeverisë teknike, Oliver Spasovski. 
 
Filipçe: Nuk ka pacient me virusin Korona
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se nuk ka raste të reja të prekur nga virusi Korona e as persona të testuar, ndërsa e prekura e vetme ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.
 
“Pacientja në Klinikën Infektive është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po shkon drejt përmirësimit, nuk ka pacientë tjerë që  për momentin po testohen për virusin Korona. Lajm i ri është se rezultatet e laboratorisë nga Gjermania erdhën dje, të cilat konfirmuan të gjitha testet tona. Gjithashtu furnizimi me pajisje shtesë të mjeteve dezinfektuese është në procedurë dhe nga dita e nesërme do të dorëzohen në shkollat fillore.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. 
 
Udhëtarët: U intervistuam dhe u pajisëm me doracak për Kovid 19
 
Udhëtarët në vendkalimin kufitar në Tabanoc po furnizohen me doracak dhe po intervistohen nëse kanë qëndruar në zonat e prekura nga virusi Korona.
 
“Nga vij unë nuk ka virus, është pastër momentalisht.”,- theksoi një udhëtar.
 
“Na pyetën për virusin si ndjehemi dhe unë u përgjigja se nuk kam ndonjë problem.”,- u shpreh një udhëtar.
 
“Na i dhanë këto doracakë se si duhet të informohemi për virusin Korona dhe se si të marrim masa për t’u mbrojtur me mjete dezinfektuese.”,- tha një udhëtar.
 
Në vendkalimin kufitar në Tabanoc, prej se është regjistruar rasti i parë me virusin Korona në vend, nga Italia veriore kanë kaluar rreth 250 pasagjerë me autobusë dhe rreth 70 me vetura personale. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI