Maqedoni
Spasovski: Pas raportit pozitiv, presim fillimin e bisedimeve
03.03.2020 16:59
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, pret që pas publikimit të raportit pozitiv...

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, pret që pas publikimit të raportit pozitiv nga Këshilli Evropian epilogu në Samitin e Zagrebit të jetë vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE. Maqedonia e Veriut është gati për t’i filluar bisedimet, vlerëson Spasovski, sipas të cilit këtë e pranojnë edhe të gjitha vendet e BE-së.
“Është konstatuar e gjitha ajo që është bërë, janë dhënë notat më pozitive për Maqedoninë e Veriut. Është logjike të presim ta marrim atë që e meritojmë. Nëse të gjithë ne e më së shumti qytetarët ka 30 vjet që punojnë në transicion e në reforma dhe sot kur të gjitha shtetet anëtare të BE-së e pranojnë që Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që duhej, është normale të pres që qytetarët përfundimisht të marrin motiv më tepër dhe që t’i hapim negociatat me BE-në.”,- tha kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
Stoilkovski: Data do të merret me qeverinë e VMRO-së
Por, pritshmëri të njëjta nuk kanë në partinë opozitare VMRO-DPMNE, nga e cila thonë se do të gëzoheshin nëse vendi merr datën për fillimin e bisedimeve, pasi kjo do të ishte në interes të qytetarëve.
“BE-ja nuk dëshiron të bashkëpunojë me kriminelë. Do të gëzoheshim nëse merret datë, megjithatë data do të merret dhe progresi do të arrihet me Qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.”,- u shpreh Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
Pas publikimit të raportit të djeshëm kanë ardhur sinjale pozitive edhe nga Franca, e cila tetorin e vitit të kaluar pengoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sipas komunikatës së Qeverisë, ambasadori francez, Kristijan Timonie, në takim me kryeministrin Spasovski ka thënë se Franca me optimizëm e sheh raportin, i cili bashkë me metodologjinë për zgjerim janë bazë inkurajuese për sjelljen e vendimit për fillim të negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Derisa ministri i jashtëm gjerman, Haiko Mas, ka deklaruar se Gjermania po angazhohet për fillim sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
GYLTENE SINANI
