Botë

92,000 të infektuar në botë me virusin Korona

04.03.2020 11:02

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka raste të reja të prekur nga virusi korona...

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka raste të reja të prekur nga virusi korona, e as persona të testuar për këtë virus, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Por, në mbarë botën mbi 92,000 persona janë infektuarve me virusin e ri Kovid 19, nga të cilët më shumë se 80,000 janë regjistruar në Kinë. Po ashtu më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur nga ky virus, shumica në Kinë, ku informacionet e fundit flasin edhe për 38 të vdekur.

Infeksionet e reja dhe vdekjet, kanë rënë në javët e fundit në Kinë, për shkak të masave të ashpra që ka ndërmarrë vendi në izolimin e banorëve. Pas Kinës ndër vendet më të prekura mbetet edhe Koreja e Jugut e cila sot raportoi për 516 infeksione të reja të konfirmuara, duke e çuar numrin në 5,328. Irani ka liruar përkohësisht më shumë se 54,000 të burgosur, në një përpjekje për të luftuar përhapjen e virusit në burgje.

Irani ka raportuar 77 vdekje në më pak se dy javë. Zyrtarët Iranian kanë konfirmuar 2.336 raste, megjithëse besohet se shifra e vërtetë është shumë më e lartë. Ndërkohë, Italia ka raportuar një rritje prej 50% të vdekjeve në 24 orët e kaluara, me gjithsej 79 vdekje nga virusi. Shumica e vdekjeve janë në Lombardi.

Nëntë vdekje janë konfirmuar në SHBA. Të gjithë të infektuarit jetuan në shtetin Uashington. Në Spanjë, një autopsi ndaj një burri 69-vjeçar që vdiq më 13 shkurt ka zbuluar se ai ishte i infektuar me koronavirusin e ri, raportojnë media lokale.

Banka Botërore ka planifikuar 12 miliardë dollarë ndihmë, për vendet në zhvillim, të cilat po luftojnë me përhapjen e koronavirusit të ri. Paketa e urgjencës përfshin kredi me kosto të ulët, grande dhe asistencë teknike. Ndarja e mjeteve financiare ka për qëllim të ndihmojë vendet që të përmirësojnë reagimin e tyre në shëndetin publik, si dhe të punojnë me sektorin privat për të zvogëluar ndikimin ekonomik.