Maqedoni
Rasti i Tamarës ende pa epilog, anulohet gjykimi, mungoi Sofjanova
04.03.2020 14:27
Është anuluar sërish gjykimi për të vërtetuar nëse ka pasur ose jo shkelje në procedurën e mjekimit....

Është anuluar sërish gjykimi për të vërtetuar nëse ka pasur ose jo shkelje në procedurën e mjekimit të vogëlushes Tamara Dimovska nga Velesi, e cila ndërroi jetë në vitin 2015, duke pritur vendimin e mjekëve për operacionin e kurrizit jashtë vendit. Në seancë mungoi mjekja, Aspasija Sofjanova, e cila ndodhet në një seminar në Turqi. Ajo është në mesin e të pandehurve bashkë me 12 mjekë dhe anëtarë të komisioneve të cilët sollën vendim negativ për shërimin e Tamarës jashtë vendit.
Gjykatësi, Marin Stanevski, potencoi se për shkak të mungesës së saj, rasti po shtyhet vazhdimisht dhe urdhëroi që mjekja të dëshmojë arsyen e mungesës, më së voni deri në seancën e radhës. Në seancë nuk ishte i pranishëm as prokurori publik, Anell Fidovski.
Komiteti i Helsinkit: Gjykimi i drejtë e në afat, kusht për drejtësi
Anulimi i sërishëm i gjykimit është dënuar ashpër nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut. Nga ky Komitet rikujtojnë se “Nga parashtrimi i padisë penale në vitin 2015, kanë kaluar pothuajse pesë vite. Seanca e parë për këtë lëndë ishte caktuar për në qershor të vitit 2018 dhe lënda për Tamarën ende nuk ka marrë epilogun e saj. Gjykimi i drejtë e në afat të arsyeshëm është një nga kushtet fondamentale për arritjen e drejtësisë penale. Mosrespektimi i këtij kushti zvogëlon efikasitetin e procedurës, kontribuon për pasiguri juridike dhe rrit pakënaqësinë e qytetarëve në sistemin gjyqësor”.
Komiteti i Helsinkit i thërret të gjithë pjesëmarrësit në procedurë të veprojnë me përgjegjësi me qëllim të zbatimit të tërësishëm të drejtësisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
