Maqedoni

Virusi Korona, Filipçe: Nuk ka raste të reja, shtojmë kontrollet

04.03.2020 15:39

Gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pacient të rinj me virusin Korona në vend...

Udhëtarët e ardhur nga Italia dhe Spanja me shenja të dyshimta kanë dalë negativë gjatë analizave. Ministri i shëndetësisë thotë se edhe gjendja e pacientes së vetme të dedikuar me virus po përmirësohet.
 
“Dje në Klinikën për Sëmundje Infektive janë paraqitur tre pacientë, dy udhëtarë nga Italia dhe një nga Spanja, i cili ka qëndruar në institucionet spitalore të atjeshme për shkaqe të tjera shëndetësore. Tek të tre pacientët testet ishin negative. E vetmja paciente që është hospitalizuar në Klinikë për Sëmundje Infektive është mirë dhe gjendja e saj shëndetësore po përmirësohet.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Për të parandaluar ardhjen e udhëtarëve bartës të virusit nga vendet ku ai tashmë është i pranishëm, po ndërmerren masa shtesë kontrolli. Të gjithë pasagjerët e “Vizair” që vijnë nga Milanoja dhe nga Venecia, do të duhet të plotësojnë kartela të posaçme. 
 
“Duhet të plotësojnë kartelë shëndetësore, e me këtë është pajtuar edhe   transportuesi ajror, që do të mundësojë kontroll më të mirë të udhëtarëve. Të premten do të dalim me një rekomandim të ri, sipas informacioneve të reja nga  vendi dhe rajoni. Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë masat.”,- tha Filipçe.
 
Aktualisht në vend ka edhe 8 shtetas kinezë që punojnë në kompaninë kineze për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, “Sinohidro”.
 
Ata janë  vetizoluar në qytetin e Kërçovës. Situata në rajon është më e qetë, nuk ka të infektuar në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, Bosnjë Hercegovinë dhe Mal të Zi.
 
Në Greqi ka  9 persona të infektuar. Deri më tani në Itali 79 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që mbi 2500 të tjerë janë prekur.
 
Në kuadër të forcimit të masave, Italia ka mbyllur të gjitha shkollat dhe universitetet për dy javë.
 
Që nga fillimi i shpërthimit ka pasur më shumë se 90,000 raste të virusit në të gjithë botën dhe më shumë se 3,100 vdekje, por edhe me 50.675 të shëruar sipas OBSH-së.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI