Maqedoni
Ligji për Siguri në Punë, sindikatat: Jemi vend i pasigurt gjatë punës
04.03.2020 15:56
Maqedonia e Veriut nuk është vend i sigurt për punë...

Numri i aksidenteve dhe vdekjeve në vendin e punës vazhdon të mbetet i lartë. Kjo është dëshmi se Ligji për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në 12 vitet e fundit nuk po jep rezultate të duhura, vlerësuan pjesëmarrësit në forumin dyditor rajonal kushtuar sigurisë në punë.
“Vitin e kaluar pamë një rritje të aksidenteve, më saktësisht ato që rezultojnë me vdekje në vendin e punës. Maqedonia nuk është një vend i sigurt për të punuar. Maqedonia është akoma një vend ku forca punëtore po vdes.”, - deklaroi Milan Petkovski nga Shoqata e Sigurisë dhe Shëndetit Në Punë.
“Zbatimi i ligjit është i nevojshëm, pasi ka shumë aksidente në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Nëse ligji do të ishte zbatuar si duhet, kjo nuk do të ndodhte.”,- u shpreh kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Darko Dimovski.
“Ligji është shndërruar vetëm në formalitet një procedurë me ton letra që tregon se punëdhënësi ka përmbushur detyrimet ligjore dhe më pas letra është në sirtar. Sfida kryesore është se si të implementohet në vendin e punës ku ndodh aksidenti.”,- theksoi Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Nga Instituti Sindikal Europian porosisin për përforcim të dialogut social dhe trajnim të punëtorëve.
“Nëse punëtorët dhe të punësuarit janë të përkushtuar në implementimin e Ligjit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë, atëherë do të kemi rezultate reale. Inspektorati i Punës t’i vizitojë kompanitë e vogla dhe mikro në vend. E njëjta situatë është në vendet e Bashkimit Evropian. Punëtori i trajnuar dhe dialogu i përmirësuar social janë ato që janë thelbësore për përmirësimin e situatës.”,- tha Viktor Kempa nga Instituti Sindikal Europian.
Në forumin e organizuar nga Lidhja e Sindikatave, marrin pjesë përfaqësues të 7 vendeve të rajonit.
REJHANE BUSHI METAJ
