Maqedoni

Riemërtimi i dy shkollave në Çair, Zaev: Janë respektuar gjitha procedurat

04.03.2020 16:49

Ndryshimi i emrave të dy shkollave në Çair është kryer në përputhje me procedurat ligjore....

Ndryshimi i emrave të dy shkollave në Çair është kryer në përputhje me procedurat ligjore, ka konstatuar ekipi i juristëve të LSDM-së, pasi një ditë më parë kreu i partisë, Zoran Zaev, tha se procedura ka qenë e jashtëligjshme. Zaev në profilin e tij në facebook ka shkruar se janë bërë analiza të tërthorta me qëllim që të pengohen tendencat për poentime politike para zgjedhjeve në kurriz të marrëdhënieve ndëretnike në vend.
 
“Pas analizës thelbësore, ekipet e ekspertëve konstatuan dhe më informuan se ndryshimi i emrave të shkollave është bërë në përputhje me nenin 26 të Ligjit për Arsim Fillor. Pasi Këshilli i shkollës ka marrë vendimin për ndryshimin e statutit, ku ndryshohet emri i shkollës dhe i shtohet emri kushtetues i shtetit. E njëjta është konfirmuar nga Këshilli i komunës së Çairit. Shumica e badenterit nuk ka qenë e nevojshme.”,- ka shkruar Zaev. 
 
Mickovski: Zaev thyen rekordet me qëndrime ndryshe
 
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, thotë se Zaev duke ndryshuar qëndrimet brenda 24 orëve, po thyen rekordet personale. VMRO mbetet në qëndrimin se riemërtimi i shkollave është i paligjshëm.
 
“Ndonjë temë duhet të mbetet temë që të fshihen të gjitha aktivitetet korruptive të cilat ndodhën këto tre vite. Këshilltarët tanë në komunën e Çairit votuan kundër. Qëndrimi ynë është se ndërrimi i emrave është bërë në formë të paligjshme, ku dhunohen proceset në shtet. Kjo ndodh në periudhë parazgjedhore kur opinioni është i sensibilizuar, që mendoj se s’duhej të ndodhte pasi askush s’ka përfitim nga kjo.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Taravari: Lojë për pikë politike para zgjedhjeve
 
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ndryshimi i emrave është lojë për pikë politike  para zgjedhjeve.
 
“Është desh këtë ta bëjnë shumë më herët e jo tani, dhe del partneri I tyre i koalicionit, zotëri Zaev thotë se janë të paligjshme. Mendoj se është shumë jokorrekte para popullatës të bëhen këto lojëra që I kanë bërë njësoj sikur i bënte me VMRO-në. E njëjta gjë po përsëritet. Unë mendoj që BDI duhet të koncentrohet përveç për emrat e shkollave, le të ma përmendin një shkollë ku e kanë rinovuar në Maqedoninë perëndimore.”,- u shpreh Arben Taravari nga ASh.
 
Edhe përkundër reagimeve, tashmë edhe zyrtarisht u bë ndryshimi i emrave të dy shkollave në komunën e Çairit, “Nikolla Vapçarov” në “Ismail Qemali” dhe “Rajko Zhinzifov” në “Imri Elezi”.
 
MERAL ISMAILI