Botë

Situata me migrantët, sërish tensione në kufirin Turqi-Greqi

04.03.2020 17:47

Situata në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë vazhdon të jetë e tensionuar dhe sërish pati përplasje...

Situata në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë vazhdon të jetë e tensionuar dhe sërish pati përplasje mes autoriteteve greke dhe refugjatëve.
 
Mbi 1500 emigrantë të ngecur në mes dy kufijve, vetëm gjatë natës me mijëra herë ata kanë tentuar të kalojnë kufirin deri sa janë ballafaquar me gaz lotsjellës dhe forma të ndryshme të dhunës.
 
Në ishullin Lesbos migrantët nuk janë të mirëseardhur tanimë as nga popullata lokale me të cilën vazhdimisht po ballafaqohen.
 
“Vi nga Afganistani, një muaj kam jetuar në Turqi dhe nuk kam punë, është shumë e vështirë për ne.”,- tha një refugjat.
 
“Ëndrra jonë është të arrijmë qëllimet në jetë për ne dhe familjen, të edukojmë fëmijët tanë.”,- theksoi një refugjat. 
 
“Deri tani gjithçka ishte në rregull me popullatën lokale, por ka disa ditë konfrontimet janë evidente në kamp.”,- deklaroi një refugjat. 
 
“Duam liri, duam të jetojmë në kryeqendër, në Athinë, këtu është si në xhungël, nuk është në rregull. Ka sëmundje, epidemi papastërti”,- tha një refugjat. 
 
Një ditë pas vizitës në kufirin grek, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, është pritur në Turqi nga presidenti, Rexhep Taip Erdogan.
 
Michel pret implementimin e marrëveshjes që BE ka me Ankaranë, por Erdogan më shumë herë e ka bërë të qartë se marrëveshjen e ka shkelur Unioni e Turqia tashmë ka hapur kufijtë, sepse nuk do ta mbajë vetë barrën e refugjatëve.
 
Kjo situatë rëndon dhe rrezikon jetën e mijëra refugjatëve në mesin e të cilëve ka shumë fëmijë, gra dhe të moshuar. 
 
LEUNORA KALIQI