Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare, ASh: Vendi i BESËS në KShZ, i takon opozitës
04.03.2020 18:09
Aleanca për Shqiptarët pret që KSHZ t’u japë një vend në përbërjen aktuale...

Aleanca për Shqiptarët pret që KSHZ t’u japë një vend në përbërjen aktuale, tanimë që Lëvizja Besa nënshkroi marrëveshjen e koalicionit me LSDM-në.
Sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari, thotë se BESA, si pjesë e një koalicioni të madh, nuk mund të ketë dy anëtarë në KSHZ, dhe vendi me automatizëm i takon koalicionit ASH-AAA, si parti më e madhe opozitare shqiptare. Ai thotë se për këtë është informuar edhe OSBE-ODIHR.
“Partitë shqiptare që i kanë anëtarët e komisionit janë të BDl-së dhe anëtarët që i kishte BESA me automatizëm u takojnë shpresoj opozitës shqiptare, e kjo është Aleanca për Shqiptarët, ne për këtë e kemi dërguar kërkesën tonë në KSHZ. Ju e dini se LSDM dhe Lëvizja Besa janë bashkë. Nuk mund një koalicionim të ketë dy anëtarë të komisioneve zgjedhore dhe kjo është shumë e logjikshme. Është paradoksale që koalicioni LSDM-BESA të ketë dy anëtarë dhe është e logjikshme, pasi do të kenë vetëm një anëtar aty, anëtari që i takon BESËS-s, t’i takojë koalicionit Aleanca për Shqiptarët me Alternativën.”,- tha sekretari gjeneral i ASh-së, Arben Taravari.
Derisa pret përgjigje nga KSHZ, koalicioni ASH-AAA vazhdon përgatitjen e listave të kandidatëve që ende mbahen sekret, përveç bartësit të njësisë 6.
“Më 11 mars do t’i dini emrat e saktë të të gjithë kandidatëve tanë nëpër lista. Një është e sigurt se bartës liste një njësinë e 6 z. Ziadin Sela do ta fitojë Z. Ali Ametin.”,- theksoi sekretari gjeneral i ASh-së, Arben Taravari.
Pasi që jemi në prag të marrjes së datës për fillim të bisedimeve, Taravari shpreson që edhe zgjedhjet do të realizohen sipas standardeve evropiane.
SANIJE DURAKU
