Maqedoni
VMRO-DPMNE: “Fshati spanjoll 2” u dirigjua nga Filipçe. Ministri Filipçe: Akuzat janë gënjeshtra qesharake
04.03.2020 19:45
VMRO-DPMNE ka vazhduar me akuza për ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO-DPMNE ka vazhduar me akuza për ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, për të ashtuquajturën “Fshati spanjoll 2”.
Sipas tyre, numri një i shëndetësisë ka kurdisur tendera të cilat i ka fituar kompania në pronësi të njeriut i cili ka tokë të përbashkët me familjen e bashkëshortes së ministrit Filipçe.
“Që kur Venko Filipçe është ministër i shëndetësisë, kompania e pronarit të parcelave nga “Fshati spanjoll 2” me familjen më të gjerë të Venko Filipçes, si dhe me bashkëpunëtorë të Filipçes, ka fituar tender me vlerë prej 426 milion e 388 mijë e 279 den. ose, 6 milion e 933 mijë e 143 euro. Prej këtyre, Filipçe personalisht ka nënshkruar tender me vlerë prej 34 milion e 229 mijë e 676 den., ose 556 mijë e 580 euro. Ilir Hasani - drejtor i klinikës “Toarkiqu”, bashkëpunëtor i afërt me Filipçen, pronar i parcelave me familjen e Filipçes dhe me fituesin e tenderave, vetëm ai ka nënshkruar 230 milion e 848 mijë e 442 den., ose 3 milion e 753 mijë e 633 euro.”,- deklaroi Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
Ministri Filipçe i ka hedhur poshtë akuzat e thotë se frika nga humbja e bën opozitën të merret me lajme të rreme.
“Janë lajme klasike të rreme se dikush e ka ndjekur pronën e familjes së bashkëshortes sime që nga viti 2012-2013. Keni kujdes, kjo tani nuk është asgjë përveç se krijimi i një situate të rrejshme për të cilën nuk e dinë çfarë flasin, sepse mendoj se ai është qëllimi i VMRO-DPMNE-së, të flitet për diçka që nuk është. Sepse, nuk kanë argumente serioze të flasin për arritjet e qeverisë në sektorin e shëndetësisë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe shtoi se të arriturat e sektorit të shëndetësisë në komunikim jozyrtar i pranojnë edhe kolegët e tij nga VMRO-DPMNE.
BELINDA KOKA ADEMI
