Maqedoni

Koalicionet parazgjedhore, Zaev lë të hapur derën për PDSh-në

05.03.2020 14:58

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk ka përjashtuar mundësinë për zgjerimin e koalicionit...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk ka përjashtuar mundësinë për zgjerimin e koalicionit parazgjedhor edhe me Partinë Demokratike Shqiptare. Megjithatë, pohon se deri tani nuk ka zhvilluar asnjë takim me kreun e PDSh-së, Menduh Thaçin. 
 
“Deri më tani akoma nuk kemi realizuar takim me liderin e PDSh-së, Menduh Thaçin, por nëse kjo arrihet si konkluzion në mbledhjet e partisë sonë dhe të koalicioneve ne mund ta realizojmë atë takim, ndërsa për sa i përket qëndrimit tim personal, unë jam pro një takimi të tillë dhe të shohim se çka mund të dalë nga i njëjti. Deri më tani kemi analiza të mjaftueshme të cilat qartë tregojnë se çka mund të na ndihmojë e çka mund të na marrë një koalicion edhe me PDSh-në. Ndërsa me Lëvizjen BESA ne tanimë e kemi bërë publike koalicionin, e cila nënkupton se do të garojmë bashkë në një listë dhe me një program.”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Listat e kandidatëve për deputetë, Zaev: Gjithçka definohet të hënën në kongres
 
Zaev nuk deshi ndërkohë të flasë për emrat e mundshëm të kandidatëve për deputetë e as se si do të ndahen vendet mes partnerëve aktualë të koalicionit. Listën LSDM do ta mbyllë të hënën në kongresin e partisë. 
 
“Për listën përfundimtare do të vendosim ditën e hënë. Ndoshta tani po spekulohet me disa emra, por para ditës së hënë mundësitë për një zgjidhje definitive janë të vogla. Por, në bazë të disa anketave të realizuara në disa degë, nëndegë dhe komuna, e dimë se kush mund të jetë në këto lista, por nuk është definitive.”,- u shpreh lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Edhe partitë e tjera kanë bërë të ditur se janë pranë përmbylljes së listave, por askush nuk dëshiron të flasë për emra deri në publikimin zyrtar të tyre. Afati i fundit për dorëzimin e listave është më 12 mars deri në orën 24.    
 
FITIM KRYEZIU