Maqedoni

Sobotka: RMV-ja meriton fillimin e negociata

05.03.2020 16:40

Austria mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian...

Austria mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian, deklaroi kryetari i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Volfganag Sobotka, i cili ndodhet për vizitë në Shkup. Ai tha se Maqedonia e Veriut gjatë periudhës së kaluar ka bërë përparim të dukshëm, posaçërisht në sjelljen e ligjeve të rëndësishme, prandaj nuk sheh pengesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
 
“Unë sinqerisht nuk shoh kurrfarë pengesa për t’i dhënë dritë të gjelbër fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ne vetë japim gjithçka nga vetja dhe e cekim mbështetjen tonë, lobojmë për shtetin dhe çdokund ku janë të pranishëm ministrat tanë në bisedime bilaterale, ceket mbështetja jonë dhe iniciativa për hyrje në Union. Por, duhet t’u them se jam më shumë se i kujdesshëm.”,- tha kryetari i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Volfgang Sobotka.
 
Xhaferi: Na duhet perspektivë e qartë evropiane
 
Ndërkohë nikoqiri i tij, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, theksoi se vendi mbetet i fokusuar në qëllimin strategjik - anëtarësimin e barabartë në BE dhe përkujtoi se në ditët e fundit të kësaj përbërje parlamentare u sollën zgjidhje të rëndësishme ligjore të cilat kontribuuan në raportin pozitiv nga KE-ja dhe rekomandim të ripërtërirë për fillim të negociatave. 
 
“Kuptohet se na duhet perspektivë e qartë evropiane, kornizë e qartë kohore dhe metodologji dhe në këtë kuptim është me rëndësi të madhe që metodologjia e re u përgjigj në mënyrë të kënaqshme kërkesave të vendeve anëtare për proces më efikas, më dinamik dhe më të besueshëm të zgjerimit.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi shtoi se vendi po bën përgatitjet që zgjedhjet e 12 prillit të jenë transparente, të drejta dhe demokratike, në pajtim me standardet ndërkombëtare. 
 
NAIM RAMADANI