Maqedoni

Portali elektronik kombëtar, mundësi për të shmangur pritjet në sportele

05.03.2020 17:37

Një portal kombëtar është tanimë në shërbim të qytetarëve për lëshim të dokumenteve personale nga MPB...

Një portal kombëtar është tanimë në shërbim të qytetarëve për lëshim të dokumenteve personale nga MPB, dokumente nga Drejtoria e të Dhënave Personale dhe Regjistrim të Fëmijëve në Kopshte e Çerdhe. Përmes tij synohet shmangja e pritjeve nëpër sportelet e institucioneve të ndryshme. Ministri Mançevski thotë se nuk ka pse qytetarët të luajnë rolin e korrierit mes institucioneve, por informatat duhen shkëmbyer në mënyrë automatike, këtu hyjnë edhe vërtetimet që nuk jeni të dënuar, stazhi i punës apo të dhënat për pagesën e tatimeve.
 
“Duam që plotësisht mënyra e aplikimit për dokumente personale të jetë në mënyrë elektronike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme qytetarët në të ardhmen do të plotësojnë çdo formular në mënyrë elektronike dhe do t’u mbetet vetëm të fotografohen. Regjistrimi në çerdhe i fëmijëve në mënyrë elektronike është rregulluar, së shpejti do të rregullohet dhe regjistrimi elektronik nëpër shkolla. Përparësi nga ky proces do të jetë dhe përgjigja që do të merret nga institucionet në afat të shkurtë kohor.”,- deklaroi ministri i punës dhe politikës sociale, Damjan Mançevski.
 
“Është shumë e rëndësishme për qytetarët që nëse në raste normale duhet të shkohet dy herë në institucione apo të pritet disa ditë për të marrë përgjigje nga institucionet, tani e tutje këtë gjë mund ta bëjnë nga shtëpitë e tyre.”,- tha zëvendësministrja e punës dhe politikës sociale, Sanella Shkrijell.
 
Portali deri më tani ka 10 mijë shfrytëzues. Marrë parasysh se shërbimet e Ministrisë për Punë Sociale i shfrytëzojnë kategori të rrezikuara qytetarësh që nuk janë përdorues të shpeshtë të shërbimeve elektronike në sportelet e të dy ministrive do të mundësohet ofrimi i ndihmës për këto kategori qytetarësh.
 
GAZMEND REXHEPI