Maqedoni
Zaev: Jo më gjyqësor të politizuar, por pastrim rrënjësor
05.03.2020 18:10
Gjykatësit dhe prokurorët e kanë për obligim të porosisin drejtësi dhe më në fund të implementohet...

Gjykatësit dhe prokurorët e kanë për obligim të porosisin drejtësi dhe më në fund të implementohet ligji për të gjithë njësoj, theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke vendosur theks të veçantë marrjen e hapave të menjëhershme në sistemin e drejtësisë, lëndë gjyqësore të ngritura në dëshmi, kontroll detajor të pronës së gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe revizionin e gjykimeve.
“Qytetarët dhe shteti nuk duan më të kenë dhe s’do të kenë gjyqësor të partizuar apo politizuar në rrugën drejt Evropës. Do të pasojë pastrim rrënjësor në gjyqësor. Gjykatësit të cilët me qëllim do të vjetërsojnë lëndë, siç kemi raste në Gjykatën Supreme si dhe në të gjitha gjykatat në vend, me automatizëm do të shkarkohen.”,- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: Zaev kishte 3 vjet kohë për reforma, nuk i bëri
Të gjitha këto reforma Zaevi i kishte paralajmëruar edhe në zgjedhjet e kaluara dhe kishte tre vite kohë që t’i realizojë ato, akuzuan nga VMRO-DPMNE.
“Nëse Zoran Zaev do të donte të ndërmarrë ndonjë hap në atë drejtim, kishte tre vjet kohë, por nuk ndërmori asgjë. Reformat e reja në gjyqësor do t’i bëjë qeveria e re e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Ato do të fillojnë prej atyre që kanë urdhëruar gjyqësorin derisa te të gjithë, e dëgjuam dhe e pamë se ai ishte Zoran Zaev.”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
Edhe lideri i VMRO-së, Hristian Mickovski, premtoi ndërtimin e një gjyqësori ku do të besojnë qytetarët.
LEUNORA KALIQI
