Botë

Kosovë, shënohet 22 vjetori i epopesë së UÇK-së

05.03.2020 18:28

Kosova shënon 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të Jasharëve....

Në rrethimin dhe luftimet treditore, u vranë 55 njerëz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina. Ndërsa të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
 
Krerët shtetërorë dhe qytetarë të shumtë u përkulën para të rënëve të UÇK-së dhe familjes Jashari të cilëve iu ndanë edhe dekoratat e posaçme nga presidenti Hashim Thaçi. Në një seancë të veçantë të  Kuvendit të  Kosovës kryeministri Albin Kurti, deklaroi se pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e familjes Jashari nuk do të kishte UÇK.
 
“Familja Jashari bën atë që të tjerët kudo në botë nuk e kishin bërë, sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Lufta heroike e komandantit legjendar dhe familjes Jashari është nderi dhe krenaria e kombit në të njëjtën kohë është edhe udhërrëfyesi për të ardhmen për shtetin e Kosovës për kombin shqiptar për të ardhmen e Kosovës që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s e BE-së.”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Lirinë që e gëzojmë sot, e kemi para së gjithash nga dëshmorët e martirët e kombit, aty mbi të gjitha nga Jasharajt. Faktori tjetër është NATO dhe ndërhyrja kundër Jugosllavisë dhe Millosheviqit. E më pas janë kontributet e të tjerëve, të të gjithë ne që mbetëm gjallë. Nëse ngatërrojmë këtë renditje, atëherë do të ngatërrojmë hapat për të tashëm dhe do të mundemi të rrëzohemi në të ardhmen.”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
“Dhimbjen e familjes Jashari e dhimbjen e të gjithë atyre që ranë për liri ta kthejmë në frymëzim për jetën e sotme. Ta kthejmë në fuqi për ta ndërtuar edhe më tej Republikën tonë.",– tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.