Botë
Shqipëri, paketa anti KÇK përplas politikën
05.03.2020 19:04
Paketa anti KÇK e miratuar së fundmi nga qeveria Shqiptare është bërë shkak...

Paketa anti KÇK e miratuar së fundmi nga qeveria Shqiptare është bërë shkak për përplasje të ashpra mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës.
“I keni përdorur halabakët me mjete të blinduara për të marrë votat. Ky akt bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky akt bie ndesh me Kushtetutën dhe reformën në Drejtësi. Një akt me 71 vota nuk mund të rrëzojë tre ligje me shumicë të cilësuar.”,- tha deputeti i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi.
Këtyre akuzave ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu përgjigj se Shqipëria, ka numrin më të ulët të vrasjeve se kurrë më parë.
“Ka ardhur momenti për një kthesë historike në këtë fushë. Duhet të vendosim drejtësi për ata që duan të punojnë në mënyrë të ndershme. Rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë mbetur në filtrat e vettingut. Po lirohen elementë me rrezikshmëri të lartë që duhet të ishin në burg.”,- tha ministri i brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.
I irrituar nga deklaratat e opozitarëve, kryeministri Edi Rama tha se kriminelët po gjejnë mbështetje nga disa horra të veshur me kollare, përfshirë dhe presidentin Ilir Meta.
“Si mund të sulmohet nga maja e piramidës së shtetit Ministrja e Drejtësisë, e cila falë kurajës së saj ka hapur një llogari që të tjerë jo nuk guxuan, po as nuk i shkoi nëpër mend. Përkundrazi i bënin llogaritë me krimineletë.”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Prej pak kohësh, në kuadër të aktit normativ KÇK, operacioni forca e ligjit u ka dërguar dhjetëra personave me precedentë kriminale dhe biznesmenëve, kërkesë për të justifikuar pasuritë e tyre.
LULJETA NDOKA
