Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare

06.03.2020 11:15

Në 22 vjetorin e "Epopesë së UÇK-së", kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Në 22 vjetorin e "Epopesë së UÇK-së", kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial "Adem Jashari”, në Prekaz. Aty të dy krerët institucional, thanë se familja Jashari e ka vulosur shtetësinë e Kosovës.

I pari i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti, tha se familja Jashari e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.

"Për të bërë homazhe të varret e Jasharajve, të kësaj familje që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Ne e kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi", tha kryeministri kosovar.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se çdo ditë duhet të përkujtohet sakrifica e familjes Jashari që i ka vendosur themelet e shtetit të Kosovës.