Maqedoni

LASh, SHB “Logos-A” dhe SHB “Shkupi” ndanë 3000 libra për 30 shkolla të Shkupit

06.03.2020 15:39

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Shtëpia Botuese “Logos–A” dhe Shtëpia Botuese “Shkupi”...

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Shtëpia Botuese “Logos–A” dhe Shtëpia Botuese “Shkupi”, me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 marsit, do të ndajë 3000 libra në 30 shkolla fillore të Shkupit. Simbolika e dhurimit të librave fillon nga Shkollat Fillore “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, të komunës së Çairit, emrat e të cilave u zyrtarizuan para pak ditësh. 
 
“Ngritja e cilësisë në arsim bëhet nëpërmjet dijes, do të thotë leximit e mësimit të librave. Kështu që viteve të fundit e kemi bërë tradicionale që LASH, bashkë me shtëpi botuese, të organizojnë shpërndarje të librave falas nëpër bibliotekat e shkollave fillore shqipe.”,- deklaroi kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.
 
Dardhishta njëherit ftoi edhe shtëpitë tjera botuese që t’i bashkëngjiten këtij aksioni. 
 
“Bëj thirrje publike që edhe shtëpitë botuese tjera pa marrë parasysh në cilin qytet, të bëjnë tradicionale dhurimin e librave e bibliotekave të shkollave fillore.”,- theksoi kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.
 
Shpërndarja e librave do të vazhdojë deri më 22 nëntor në Ditën e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, deri kur është paraparë të shpërndahen rreth 30 mijë libra në disa shkolla të Maqedonisë së Veriut. 
 
REJHANE BUSHI METAJ