Maqedoni
Filipçe: Në RMV nuk ka raste të reja me virusin Korona
06.03.2020 16:25
Pas testimit të së enjtes të dy turistëve të cilët po qëndronin në një hotel në Shkup..

Pas testimit të së enjtes të dy turistëve të cilët po qëndronin në një hotel në Shkup, nuk janë kryer hetime tjera për të prekur me virusi Korona, bën të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas tij, gjendja shëndetësore e pacientes me koronavirus është stabile dhe megjithëse testi kontrollues ishte negativ, duhet të pritet 24 deri në 48 orë që të konfirmohet nëse pacientja u shërua plotësisht.
“Gjendja e pacientes është stabile, testi kontrollues është negativ, por që kjo të konfirmohet duhet të kalojnë 24 deri 48 orë. Dhe këtë do ta bëjmë në bazë të rekomandimeve të klinikës, sot apo gjatë ditës së nesërme dhe për këtë do ta njoftojmë opinionin. Kjo nënkupton se në rast se edhe testi kontrollues është negativ, kjo nënkupton se ajo është e shëruar.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko FIlipçe.
Edhe bashkudhëtarët në furgonin me të cilin udhëtoi pacientja e prekur nga virusi Korona, të cilët ndodhen në karantinë, deri më tani nuk kanë manifestuar probleme shëndetësore. Sa i përket ndeshjes futbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ministri Filipçe tha se do të preferonte që ajo të luhet pa tifozë.
“Sa u përket ndeshjeve sportive, unë personalisht mendoj se të gjitha ndeshjet sportive, përfshirë edhe ndeshjen Maqedoni-Kosovë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luhet pa publikë, sepse në ndeshje të këtilla ka mysafirë edhe nga jashtë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko FIlipçe.
Filipçe njëherit informoi se një grup prej rreth 20 turistësh nga Singapori dhe Japonia pritet të arrijnë në Maqedoni përmes pikës kufitare Deve Bair. Ata do të priten nga Qendra Lokale e Shëndetit Publik e cila do t’i intervistojë dhe kontrollojë pasi ata vijnë nga Rumania ku ka të regjistruar një rast. Sa i përket rajonit në Serbi, është regjistruar një rast me virusin Korona. Edhe në Greqi janë regjistruar disa të prekur. Në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi nuk janë regjistruar raste me virusin Korona.
VLORA LATIFI TOPOJANI
