Botë
Kufiri turko-grek, policia përballet me fluks të madh migrantësh
06.03.2020 16:48
Tensione të vazhdueshme në kufirin turko-grek....

Refugjatët vazhdojnë të ballafaqohen me situata shumë të vështira deri sa tentojnë të kalojnë pragun drejt Evropës. Ata përballen me gaz lotsjellës, shpërthime dhe krisma. Autoritetet greke thonë se janë parandaluar 24 000 refugjatë që nga dita e shtunë, ndërsa refugjatët rrëfejnë tmerrin e tyre.
“Ushtarët grekë na kanë rrahur, më kanë marrë të hollat, veshmbathjen, celularin si dhe na kanë dëbuar.”,- tha një refugjat.
Në pjesën kufitare të Turqisë, përreth lumit Evros, refugjatët janë pozicionuar duke pritur kushte të përshtatshme për kalimin e kufirit grek, duke mos anashkaluar edhe rrugë të vështira, ndërsa në mesin e tyre ka shumë fëmijë të cilëve u rrezikohet jeta.
“Kur arritëm aty kishte policë dhe u kthyem. Ata gjuajtën, por në ajër jo drejt nesh. Dua vetëm ta siguroj që unë dhe familja ime të jetojmë të qetë. Presim të errësohet dhe lutemi.”,- theksoi një refugjat.
Rreth 130 000 refugjatë nga ruta ballkanike i janë drejtuar vendeve të Evropës, raportojnë nga Këshilli Kombëtar hungarez, ndërsa Greqia tanimë këtë situatë e ka marrë shumë seriozisht dhe po krijon kushte për mbrojtjen kufijve të jashtëm të Europës.
“Duke u bazuar në raportet turke, kufirin e kanë kaluar rreth 130000 persona, por autoritetet greke demantojnë. Disa mijëra, sipas tyre, kanë kaluar, por ata janë kapur dhe do të deportohen, janë refuzuar kërkesat, si dhe po ndërtohet një sistem barriere, ndërsa ekzistuesja do të përforcohet. Kjo është çështje në nivel kombëtar të sigurisë, ndërsa Greqia mundet dhe do të mbrojë kufijtë e saj. Nuk përputhet numri i 130000 mijë personave që kanë kaluar kufirin, pasi që ata tanimë duhej të paraqiten në kufirin me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut.”,- tha këshilltari për sigurinë kombëtare në Hungari, Gyorgy Bakondi.
Rusia, e cila mbështet forcat e qeverisë siriane nga ajri, është dakorduar për armëpushim në Idlib dhe nga mesnata pas shumë muajve qiejt mbi Siri ishin të hapur, megjithëse marrëveshjet e mëparshme të paqes kanë rezultuar të përkohshme.
LEUNORA KALIQI
