Maqedoni
Reklamimi politik, Derkovski: Partitë të merren vesh mes vete
06.03.2020 17:31
KShZ është shprehur jokompetente lidhur me ndarjen e hapësirës për reklama në media...

KShZ është shprehur jokompetente lidhur me ndarjen e hapësirës për reklama në media të partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas kryetarit, Oliver Derkovski, partitë do të duhet të merren vesh midis tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, 45 për qind ndajnë dy partitë e para në pushtet dhe dy të parat në opozitë, ndërsa gjithë të tjerët do të ndajnë 10 përqindëshin e mbetur.
“Kjo nuk është kompetencë e jona. Reklamimi politik është i rregulluar me Kodin Zgjedhor ashtu siç shkruan. Unë shpresoj se partitë do të ulen dhe do të merren vesh se si do ta ndajnë hapësirën. Ne asnjëherë nuk e kemi ndarë, ata janë ulur dhe janë dakorduar në përputhje me kornizën ligjore.”,- tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Agjencia e Mediave: Kohën e reklamimit të Besës ia ndanë VMRO-së
Por, pas koalicioni LSDM-BESA, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ka përpiluar një draft udhëzues për organizimin e kësaj hapësire kohore, në të cilën Besës i hiqet kjo e drejtë dhe hapësira prej 4 minutave i jepet VMRO-së.
“Maksimumi prej 4 minutash të parapara për dy partitë më të mëdha në opozitë, si pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë më shumë vota, do të emitohet program i paguar politik i partisë më të madhe në opozitë ose koalicionit të saj për zgjedhjet parlamentare të 2020-s”,- thuhet në draft-udhëzuesin e Agjencisë së Mediave.
Hoxha: Padi për drejtorin e Agjencisë së Mediave
Por, Lëvizja Besa paralajmëron padi për drejtorin e Agjencisë dhe kryetarin e Këshillit të Agjencisë.
“Ligji është shumë i qartë. Ata që kanë problem me ligji, nëse i shihni, personat që i përmendni edhe ju janë në njëfarë forme të lidhur me ish regjimin. Lëvizja Besa do të ngrejë një padi penale edhe ndaj drejtorit Trajçevski, por edhe ndaj kryetarit të këshillit, i cili e ka propozuar një draft-udhëzues dhe për herë të parë ndodh një precedent në Maqedoninë e Veriut që udhëzuesi të jetë akt më i lartë juridik se sa ligji.”,- u shpreh Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Kreu i KShZ-së, Derkovski, sqaroi edhe përfaqësimin e anëtarëve në komisionet zgjedhore. Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të fundit përcaktojnë LSDM-në dhe BDI-në si përfaqësues të pushtetit, ndërsa VMRO-DPMNE dhe Besa opozitën dhe mbi bazën e kësaj do të propozojnë anëtarë në komisionet zgjedhore. Derkovski njëherit ftoi diasporën që të paraqiten për të votuar, pasi që të paktën 6.540 vota janë të nevojshme për të organizuar votimin.
Paraqitja e diasporës zgjat deri më 11 mars, ndërsa aktualisht janë pranuar 2871 kërkesa. Në zgjedhjet e 12 prillit vështirë se do të ketë kandidatë të pavarur. Nga gjashtë pretendentët për kandidatë të pavarur, Goran Taskovski ka grumbulluar më së shumti nënshkrime, në njësinë e pestë 255 nënshkrime, por afati i mbledhjes së një mijë nënshkrimeve të nevojshme përfundon sonte në mesnatë.
NAIM RAMADANI
