Ademi: Do ta rishqyrtojmë “Sistemin e Bolonjës”
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, premton reforma rrënjësore në arsim. Këto reforma, sipas tij, kanë për qëllim rritjen e cilësisë dhe këto reformat do të fillojnë nga mësimdhënësit..........

“Është konstatuar se jo gjithnjë kemi mësimdhënës kompetentë, jo gjithnjë kemi mësimdhënës adekuatë, jo gjithnjë sistemi krijo mësimdhënës që mund nesër të ballafaqohet me sfidat dhe risitë në procesin edukativo-arsimor, por edhe me realitetin e pas vitit 2001. Kemi filluar me një reformë të thellë në fakultetet pedagogjike. Do të miratojmë edhe ligj të ri për mësimdhënësit, ku do të definohen të gjitha kriteret se kush do të mund nesër të punësohet si mësimdhënës”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ekskluzivisht për TVM2, Ademi ka paralajmëruar reforma në arsimin sipëror dhe këto reforma do të fillojnë me rishqyrtimin e të ashtuquajturit “ Sistemi i Bolonjës”.
“Paralajmëroj ekskluzivisht për TVM2 se ne do ta rishqyrtojmë procesin e Bolonjës në disa aspekte. Do të rishqyrtojmë zgjatjen e studimeve, më nuk do të ketë studime 3 vjeçare, pra të gjitha studimet do të jenë 4 vjeçare. Nuk do të ketë më provime vetëm me shkrim, por provime edhe me shkrim edhe me gojë”- tha Ademi.
Ademi për TVM2 ka cekur edhe ndryshimin e emrave të shkollave në Çair, i cili, sipas tij, do të bëhet brenda këtij viti. (Flutra Latifi, TVM2)
