Maqedoni

Ndikimi i dëmshëm i dezinformatave

06.03.2020 18:13

Lajmet e rreme po bëhen problem serioz në zhvillimin e demokracisë dhe jetës shoqërore....

Nevoja për një luftë gjithëpërfshirëse dhe afatgjate po bëhet emergjente. Kreu i Republikës, Stevo Pendarovski, fton institucionet dhe shoqërinë civile që së bashku ta luftojnë këtë dukuri. Edukimi i shoqërisë për të dalluar lajmin nga sajimet po bëhet domosdoshmëri, konstaton Pendarovski.
 
“Që të jetë efikase lufta kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave duhen përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim efikas mes institucioneve dhe sektorit civil, me mediat, me arsimin dhe bashkësinë e biznesit, ku do të nxitet shfrytëzimi i praktikave më të mira dhe partnerë të huaj. Çdo shoqëri e përgjegjshme që dëshiron të jetë demokratike duhet vazhdimisht të kundërshtojë dezinformatat në formë të organizuar.”,- tha kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski.
 
E vëreteta nuk është relative, as faktet nuk negociohen. Ambasadorja amerikane në vend me porosi për shfrytëzuesit e mediave sociale dhe prodhuesit e lajmeve të rreme dhe gjysmë të vërtetave.
 
“Siguria publike mund të rrezikohet dhe jeta e njerëzve mund të vihet në rrezik. Porosia për përdoruesit e mediave sociale duhet të jetë: Mendoni para se të “klikoni” dhe kontrolloni para se të shpërndani. Shpërndarësve të këtyre dezinformatave dua t’u them se, ajo që po bëni i kushton shumë shoqërisë. Mos lejoni që profiti t’ju errësojë gjykimin.”,- theksoi ambasadorja e SHBA-ve, Kejt Bërns.
 
Sajimi i lajmeve të rreme është i lirë, ndërsa demantimi për të sjellë të vërtetën kushton, thotë Viktoras Daukshas nga Lituania. 
 
“Kur flasim për dezinformimin problem kryesor është  kostoja. Kostoja për të krijuar dezinformata është shumë më e vogël se demantimi. Ky është problemi kryesor që kemi me dezinformatën. Nëse nuk e ndryshojmë këtë do të kemi gjithnjë e më shumë dezinformata. Në vitin 2017 kishte 28 vende të sulmuara nga dezinformatat ndërsa në 2019 mbi 70. Ky trend po rritet dhe me kohë mund të shohim eskalimin e më shumë çështjeve.”,- u shpreh Viktoras Daukshas nga Lituani.
 
Digjitalizimi, interneti dhe rrjetet sociale mundësuan shpërndarjen e shpejtë të informacionit por edhe mundësinë për përhapje të shpejtë të lajmeve të rreme dhe gjysmë të vërtetave. Këto të fundit gjenerohen nga grupe të ndryshme interesi dhe kanë për qëllim të vënë kontroll mbi ekonominë dhe politikën përmes oligarkëve lokal, konsiderojnë hulumtuesit e kësaj dukurie  
 
SHPËTIM NUREDINI