Maqedoni

U përurua solemnisht Sh. F “Imri Elezi”, Ademi: Emrat e shkollave nuk duhet politizuar

06.03.2020 18:23

Në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe funksionarëve të lartë u përurua solemnisht tabela e shkollës...

Në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe funksionarëve të lartë u përurua solemnisht tabela e shkollës që do të mbajë emrin e ish ushtarit të UÇK-së, Irmri Elezi. Kjo shkollë e cila më parë mbante emrin Nikolla Vapçarov, tanimë 5 vite figuron me emrin e ri, ndërsa tani është zyrtarizuar, thekson ministri i arsimit, Arbër Ademi. Sipas tij, emrat e shkollave nuk duhet të politizohen, por të reflektojnë vullnetin e qytetarëve, prindërve dhe nxënësve.
 
“Asnjëherë çështjet e tilla nuk duhet të politizohen e partizohen, por ajo duhet të jetë reflektim i vullnetit të qytetarëve dhe të mbajnë emërtime të tilla dhe mua më vjen mirë që pas një periudhe të caktuar kohore patëm kënaqësi e privilegj që të nënshkruajmë pëlqimin për emërtimin e kësaj shkolle edhe oficialisht në “Imri Elezi” dhe shkollën tjetër me emërtimin “Ismail Qemali”.”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Imriu është dëshmor i kombit dhe jo i partisë, konsideron vëllai i tij, Elez Elezi, i pyetur se a po përdoret emri i Imri Elezit për propagandë partiake.
 
“I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan dhe përfundoi ky proces, nuk dua të lidhet me politikë. Unë i falënderoj të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë  se nuk është bërë diçka e paligjshme, apo diçka që nuk është në rregull. Imriu me të vërtetë ka qenë personalitet që është dashur të respektohet dhe besoj se me ketë emër do t’i japim motiv gjeneratave të reja, një shembull si Imriu është mirë të ketë populli ynë, pse jo edhe Maqedonia.”,- tha vëllai i dëshmorit Imri Elezi, Elez Elezi.
 
I pyetur për kushtet e vështira sanitare në shkollën e Neproshtenit, ministri Ademi tha se për këtë çështje duhet kërkuar përgjigje nga komuna përkatëse, sepse në nivel nacional të gjitha komunat kanë mjete të nevojshme për të mbajtur nivelin e higjienës në shkolla. Edhe sa i përket shkollës në Zhitoshë të Dollnenit, Ademi tha se po punohet për  ngritjen dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore.
 
FLUTURA LATIFI