Maqedoni

Gostivar, mungesë librash në shkollat fillore e të mesme

06.03.2020 18:38

Në prag të ditës së mësuesit, shkollat fillore e të mesme në Gostivar...

Në prag të ditës së mësuesit, shkollat fillore e të mesme në Gostivar vazhdojnë të përballen me mungesë librash edhe në gjysmëvjetorin e dytë. Nga sektori për arsim në këtë komunë thonë se në 10 shkollat fillore mungojnë mbi 9 mijë tekste shkollore për të gjitha lëndët dhe të gjitha klasat. Me mungesë librash përballen edhe shkollat e mesme.
 
“Mungesë më të madhe të librave kemi tek klasat e gjashta - gjithsej 3.838 tekste, klasat e shtata - 1.026 dhe klasat e nënta - 1.561 tekste shkollore. Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe shkollat e mesme. 8.610 libra mungojnë në shkollën e mesme komunale të mjekësisë, 2.453 libra në shkollën e mesme teknike, ndërsa në gjimnaz mungojnë shumë pak tekste shkollore, vetëm 64 libra.”,- deklaroi Imërlije Saliu nga sektori i arsimit - komuna Gostivar.
 
Sektori i arsimit pranë komunës së Gostivarit thonë se ata që humbin më së shumti janë nxënësit dhe kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të marrë masa konkrete. Ministri i arsimit nuk deshi të përgjigjet për mungesën e librave, tha se sot nuk është dita për këtë problematikë. 
 
LULZIM HAZIRI