Maqedonia merr rekomandimin e 6-të për negociata me BE-në
Komisioni Evropian, sot do t'i publikojë progres-raportet për përparimin në eurointegrimet e vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian.....

Në raport do të vlerësohen të arriturat në sferat kryesore, në të cilat priten reforma nga shtetet aspirante për në BE. Raportin do ta prezantojë para Parlamentit Evropian komisari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle.
Kjo do të jetë raporti i fundit që ai do të publikojë, ndërsa zgjerimin si resor në të ardhmen do ta merr komisionari i ri për zgjerim dhe negocim, Johanes Han. Një ditë më parë, komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle, tha se në pesë vitet e ardhshme do të jetë me rëndësi të binden qeveritë dhe qytetarët se do të kenë përfitim nga i gjithë procesi i zgjerimit.
“Pesë vitet e ardhshme do të jenë të rëndësishme që të realizohet momenti i zgjerimit, të sjellin më shumë siguri dhe stabilitet te fqinjët, sepse gjithnjë e më shumë është subjekt i ndryshëm i imponimit dhe presionit. Ky raport është kontributi ynë jo vetëm në luftën kundër lodhjes nga zgjerimi, por edhe lodhjes nga procesi i reformave. Bëhet fjalë për atë se si të kyçen qeveritë, si të binden qytetarët se do t’i ndjejnë përfitimet nga procesi i zgjerimit jo vetëm në fund të procesit, por edhe gjatë kohës së procesit”- deklaroi komisionari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle. (Sanije Kasami, TVM2)
