Diagnostikohet edhe një rast i ri me virusin Korona, Filipçe: Të respektohen masat e OBSH-së për mbrojtje nga virusi

09.03.2020 13:44

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka njoftuar sot edhe për një rast të ri të identifikuar me virusin Korona....

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka njoftuar sot edhe për një rast të ri të identifikuar me virusin Korona. Virusi Korona është diagnostikuar tek drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës, tha ministri Filipçe, i cili shtoi se mjekja ka udhëtuar nga Italia dhe tani është hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Situata e saj shëndetësore është stabile, thotë ministri, por shprehu brengosje për mosrespektimin e rekomandimeve dhe apeleve të njëpasnjëshme për vetëizolim, në rast të udhëtimit nga një vend tek i cili ka virus.

Sipas ministrit Filipçe, për momentin ekipe të Qendrës për Shëndet Publik  bëjnë vlerësimet  e shkallës së rrezikshmërisë  për të gjithë të cilët kanë qenë në kontakt me drejtoreshën, me ç’rast nuk ka përjashtuar mundësitë që i gjithë reparti të mbyllet.

“Jemi të revoltuar për mosrespektimin e masave për mbrojtjen nga virusi në fjalë Ne nuk mund të mbyllim dot kufijtë, asnjë vend në botë nuk e ka bërë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm, sidomos nga njerëzit që vijnë nga vendet e prekura, sidomos nga Italia, të vetizolohen në shtëpi për të paktën 14 ditë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Sipas ministrit, e vetmja gjë pozitive është se drejtoresha nuk e ka pasur ditën e vizitave dhe kështu nuk ka qenë në kontakt me shumë pacientë. Ai apeloi edhe një herë të respektohen masat e marra dhe njerëzit të ndërgjegjësohen. (Merita Gashi, TVM2)