Maqedoni

BDI: Mësim parashkollor obligativ, çerdhe edhe në zonat rurale

09.03.2020 14:45

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se arsimi parashkollor...

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se arsimi parashkollor duhet të jetë i detyrueshëm që nga mosha katër vjeçe. Për këtë duhet të ndërtohen edhe kopshte dhe qendra të zhvillimit të hershëm të fëmijëve në çdo vendbanim, thonë nga kjo parti.
 
“Studimet tregojnë se nxënësit arrijnë rezultate më të mira në PISA, nëse ata ndjekin arsim parashkollor. Raporti Global Parashkollor i UNICEF-it tregon se fëmijët që kanë ndjekur të paktën një vit parashkollor kanë gjasa më të mëdha ta zhvillojnë aftësi të të menduarit kritik, që më tej u nevojitet për të pasur sukses në shkollë. Studimet po ashtu tregojnë se gjasat janë më të vogla që këta fëmijë më tej si nxënës ta përsërisin vitin apo ta braktisin shkollën dhe rezultatet studimeve thonë se kur të rriten ata kanë aftësi më të mëdha që të kontribuojnë në shoqëritë dhe ekonomitë prosperuese.”,- tha Shermine Mamut nga BDI.
 
Ajo njëherit theksoi se megjithëse vendi është larg nivelit të synuar të BE-së, ku regjistrimi i fëmijëve në edukimin parashkollor arrin në 95%, megjithatë është shënuar përmirësim në regjistrimin parashkollor, pasi nga 22% në vitin 2012 kjo përqindje është rritur në 35% në 2017 dhe tendenca e rritjes vazhdon. Me rritjen e numrit të kopshteve dhe qendrave parashkollore, veçanërisht në zonat rurale, kjo përqindje do të rritej dukshëm, theksojnë nga BDI.
 
GAZMEND REXHEPI