Filipçe: Drejtoresha e një klinike e prekur me Kovid - 19
Drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës...

Drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, e cila para një jave ishte kthyer nga Italia, rezulton e prekur nga virusi Korona. Gjendja e saj është stabile dhe është hospitalizuar në Klinikën Infektive, informoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai njëherit bëri të ditur se pacientja e prekur nga virusi Korona ka shkuar pesë ditë në punë, prandaj po identifikohen dhe intervistohen të gjithë mjekët dhe pacientët që kanë pasur kontakt me të në spital.
Nuk përjashtohet mundësia që të mbyllet i gjithë reparti dhe pacientët të dërgohen në shtëpi në vetë-izolim.
Ministri FIlipçe po ashtu paralajmëroi sanksionimin e drejtoreshës e cila nuk i ka respektuar rekomandimet për mbrojtje nga virusi Korona dhe sërish apeloi te qytetarët që të respektohen masat.
“Me dëshpërimin më madh, në kontekst të mosrespektimit për vetë-izolim pas çdo udhëtimi në rajonet e rrezikuara, mund t’ju them se pacientja është kolegia jonë mjeke, e cila para një jave është kthyer nga Italia, ajo është mjeke e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës dhe pas kthimit në vend 5 ditë ka shkuar në punë. Në këtë moment e gjitha ekipi nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë vlerësimin e shkallës së rrezikut për të gjithë që kanë kontaktuar me të si të punësuarit ashtu edhe pacientët. Sipas vlerësimeve të epidemiologëve mundet reparti të mbyllet plotësisht, tërë personeli mjekësor dhe pacientët të dërgohen në vetë-izolim në shtëpi.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe po ashtu potencoi se gjendja shëndetësore e çiftit nga Dibra është stabile dhe gjendja e pacientes së parë është plotësisht e stabilizuar.
Të martën do të bëhen 14 ditë nga karantina për të gjithë bashkëudhëtarët e saj, do të bëhen intervista dhe do vlerësohet a do të bëhen testime. Ai gjithashtu rikujtoi masat e vendosura në Itali, përkatësisht në 14 rajone të Lombardisë ku është shpallur zonë e kuqe.
“Të gjitha masat e izolimit zbatohen për të gjithë njerëzit që gjenden në ato zona pa marrë parasysh nëse janë banorë të vendit ose shtetas të huaj. Atyre u është ndaluar të udhëtojnë. “Vizz Air” ka pezulluar të gjitha fluturimet nga zonat e rrezikshme për në vendin tonë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Italia është shndërruar në vendin e dytë në botë me numrin e të vdekurve dhe të prekurve nga virusi Korona, pasi në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 133 persona, duke e rritur numrin e të vdekur në 366 persona, derisa numri i të infektuarve arrin në 7.375, ndërsa 633 të prekur deri tani janë shëruar.
Ndryshe nga Italia dhe shtete te tjera të Europës, Kina është drejt izolimit të virusit Korona - Kovid-19 të rrezikshëm.
Në epiqendrën e shpërthimit të virusit në Wuhan janë raportuar vetëm 40 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i përgjithshëm i të prekurve në Kinë arrin në 80.735, ndërsa numri i vdekjeve arriti në 3119. Në nivel botëror numri i të infektuarve me Kovid-19 arriti mbi 100 mijë dhe 3600 viktima. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
