Maqedoni
Gjykimi për organizatorët e 27 prillit, të akuzuarit: Është rast i finguar politikisht
09.03.2020 17:02
Të akuzuarit për organizim të dhunës së 27 prill në Kuvend gjatë vitit 2017, mohojnë akuzën....

Në fjalën e tyre përfundimtare, ata theksuan se akuza është me prapavijë politike dhe e bazuar nga dëshmia e një të dënuari nga Gjykata e Shkallës së Parë, Aleksandar Vasilevski - Ninxha. Avokati mbrojtës i të akuzuarve, Trajko Veljanovskit, Spiro Ristovskit dhe Mile Janakievskit, tha se mbrojtja do të dëshmojë se askush nuk ka qenë organizatorë i sulmit në Kuvend. Sipas tij, Veljanovski nuk ka shkelur rregulloren ashtu siç pretendon prokuroria, vetëm pse i ka lejuar deputetit, Zekirja Ibraimi, të interpretojë himnin shqiptar.
“Do të dëshmojmë se në asnjë moment lokacioni i celularit të Ninxhës, lokacioni i celularit të Janakievskit dhe Ristovskit nuk kanë qenë në vend të njëjtë deri në orën 22:13. Më duhet të them se të gjithë të akuzuarve nuk iu janë dorëzuar dëshmitë ashtu siç është e paraparë me ligj. Nuk ekziston asnjë dëshmi e vetme që vërteton se cilido nga të akuzuarit kanë organizuar transport për 27 prillin nga komiteti komunale që të jenë prezentë.”,- u shpreh avokati, Elenko Millanov.
Ndërsa i akuzuari Veljanovski tha se nuk e ka ndërprerë Ibrahimin pasi përkthimi është vonuar, ndërsa ai nuk e ka kuptuar se çfarë po interpreton. “Ky është proces i porositur politik. Do të dëshmojmë se kjo dhe PSP kanë qenë mjet i rëndësishëm për votimin e ndryshimeve ligjore duke e shfrytëzuar këtë rast. Akuza kundër meje është qesharake dhe nuk mban".
Edhe i akuzuari Janakievski mohon akuzat ndaj tij si të pavërteta. "Do të dëshmoj që deklarata e tij e tretë e dhënë për ngjarjen e njëjtë, e dhënë para shqiptimit të aktakuzës është përplot me rrethana të pavërteta dhe e njëjta i është dhënë me premtimin për përfitime ndaj tij, me qëllim të ketë rrethana për ndjekjen time penale".
Në bankën e të akuzuarve për këtë rast janë ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish ministrat, Mile Janakievski dhe Spiro Ristevski, dhe ish drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski. Ndërsa për të arratisurin, Nikolla Gruevski, procedura është ndërprerë pasi nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes. Procesi gjyqësor vazhdon javën e ardhshme kur duhet të dëshmojë kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
