Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare, LSDM: Mickovski po ik nga përballja elektorale
09.03.2020 17:37
Kandidimi i liderëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE për zgjedhjet e 12 prillit...

Kandidimi i liderëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE për zgjedhjet e 12 prillit ka përplasur sërish këto dy parti. Hristijan Mickovski është i vetëdijshëm për humbjen, prandaj nuk dëshiron të përballet me Zoran Zaevin në njësinë e katërt zgjedhore, thonë nga LSDM. Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE kanë pyetur LSDM-në se nëse humbin zgjedhjet a do të largohen nga politika.
“Hristijan Mickovski është i vetëdijshëm për humbjen që pret më 12 prill nga qytetarët dhe për këtë arsye po ik nga përballja elektorale me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, në njësinë e katërt zgjedhore. Me këtë ikje nga kryetar Zaevi, ekzekutuesi Mickovski dëshiron t’i shpëtojë përgjegjësisë për humbjen nga elektorati më 12 prill.”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Pas humbjes a do të largoheni?
“Zoran Zaev po ik nga përballja televizive me liderin Mickoski, ai gjithashtu po i ik përgjigjes së pyetjes që u intereson qytetarëve: Kur do të humb zgjedhjet a do të japë dorëheqje dhe të largohet nga politika? Zoran Zaev pas humbjes për të cilën do të jenë përgjegjës ai dhe Radmila Sheqerinska, a do të japë dorëheqje dhe të çlirojnë qytetarët, partinë dhe shtetin nga pengmarrja e tij?”,- theksoi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, do të kryesojë me listën e deputetëve në njësinë e katërt zgjedhore, ndërkaq akoma nuk dihet nëse kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, do të jetë bartës në ndonjërën nga njësitë zgjedhore.
NAIM RAMADANI
