Maqedoni
Zgjedhjet e 12 prillit, partitë drejt finalizimit të listave zgjedhore
09.03.2020 17:50
Partitë politike po shkojnë drejt zyrtarizimit të listave zgjedhore me kandidatë për zgjedhjet e 12 prillit...

Partitë politike po shkojnë drejt zyrtarizimit të listave zgjedhore me kandidatë për zgjedhjet e 12 prillit, pasi më 12 mars skadon afati për dorëzimin e listave. BDI veç më e ka formuluar listën. Ali Ahmeti sikurse tradicionalisht do të kryesojë listën në njësinë e gjashtë zgjedhore, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, në njësinë e pestë, ish kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, do të jetë bartës në njësinë e parë, ministri i arsimit, Arbër Ademi, në njësinë e dytë, ndërkaq në të tretën ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ende nuk kanë finalizuar listat, por që kreu i ASh-së, Zijadin Sela, do të kryesojë listën në zonën e gjashtë, ndërkaq kreu i Alternativës, Afrim Gashi, në njësinë e dytë zgjedhore.
LSDM në kongresin partiak vendos për emrat e kandidatëve për deputetë, por, siç dihet, kreu i partisë, Zoran Zaev, do të garojë në njësinë e katërt zgjedhore e pasuar nga Radmilla Sheqerinska.
Lëvizja Besa mbrëmë ka zyrtarizuar listat. Në procesin zgjedhor në koalicion me LSDM-në do të hyjnë me 14 kandidatë, 9 prej tyre në njësinë e gjashtë, ku bartës i listës është kryetari i partisë, Bilall Kasami.
VMRO–DPMNE kandidaturat do t’i publikojë pas Komitetit Qendror të së martës. Mickovski nuk do të përfshihet në lista, ndërkaq jozyrtarisht përmenden emrat e profesoreshën, Gordana Siljanovska, si bartëse në njësinë e parë, nënkryetari i partisë, Vllado Misajllovski, në njësinë e dytë, në të tretën sekretari i partisë, Igor Janushev, nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikollovski, në të katërtën, operisti Igor Durllovski në të pestën, ndërkaq deputetja, Dafina Stojanovska, në njësinë e gjashtë zgjedhore. Afati për dorëzimin e listave skadon më 12 mars. Në këto zgjedhje nuk do të ketë kandidatë të pavarur pasi që asnjë prej tyre nuk arriti të grumbullojë 1 mijë nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garën zgjedhore.
MERAL ISMAILI
