Maqedoni
Zaharieva: RMV dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet
09.03.2020 18:13
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për bisedime në mars...

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për bisedime në mars, ndërsa metodologjia e re të mos shfrytëzohet si argument për shtyrjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, tha ministrja e jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, në Samitin e procesit të Berlinit. Ajo shtoi se Sofja do të jetë avokat i fuqishëm që të marrim dritë jeshile për nisjen e bisedimeve me BE-në.
“Shpresoj se në mars do të ketë vendim për të dy shtetet, Shqipërinë dhe RMV-në, për të hapur bisedimet. Një fjalë për metodologjinë e re. Metodologjia është propozim i mirë ende i pamiratuar, por nuk duhet të shfrytëzohet si argument për të shtyrë vendimin për fillimin e bisedimeve. Është propozim i mirë, por vendimi për RMV-në dhe Shqipërinë duhet të merret në mars, në të kundërtën BE do të humb kredibilitetin.”,- tha ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterian Zaharieva.
Dimitrov: Rasti i RMV-së e vë BE-në në testim të madh
Realizimi i agjendës për reforma si dhe metodologjia e re janë dy faktorë që i japin arsye BE-së të vendos në favor të RMV-së, tha ministri i jashtëm Dimitrov. Sipas tij, poqëse Brukseli vendos kundër interesit të vendit tonë, BE do të japë alarmin se dera e zgjerimit është mbyllur.
“Rasti drastik i RMV-së e vendos BE-në në testim të madh. Mendoj se pas reformës briliante të agjendës reformuese, mungesa e vendimit do të thotë se dera është mbyllur… Pas metodologjisë së re nuk frikësohemi. Duam rigorozitetin, nuk frikësohemi nga futja procesit të kthyeshëm, sepse mbi të gjitha ne duam negociata për të ecur përpara, jo prapa.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Lehne: Fati i Ballkanit perëndimor është në BE
Fati i Ballkanit Perëndimor është në BE, por BE po ballafaqohet me shumë kërkesa rajonale, tha Stefan Lehne nga Alumni “E ardhmja evropiane”.
“Migrantët në kufirin Greqi - Turqi kanë tërhequr vëmendjen prej zgjerimit. Nga kjo varet e ardhmja e BE-së dhe e zgjerimit. Ballkani Perëndimor është para portës së BE-së. Përmbajuni rregullave dhe themeleve.”,- theksoi Stefan Lehne - Alumni "E ardhmja evropiane"- Bruksel.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria për herë të parë bashkë-organizojnë Samitin e procesit të Berlinit në Shkup. Migracioni, situata në kufirin Greqi - Turqi, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane janë top temat e Samitit të Berlinit të organizuar në Shkup. Të martën Samiti mbledh ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë ndërkombëtarë, ku do të diskutohet për dilemat rreth metodologjisë së re të zgjerimit të propozuar nga Komisioni Evropian për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, për Mini Shengenin dhe problemet tjera me të cilat sfidohet Bashkimi Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
