Maqedoni
U mbyll Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës, Filipçe: 64 punëtorë shëndetësorë në izolim
09.03.2020 18:22
U mbyll Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës në Shkup.....

U mbyll Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës në Shkup. 64 punonjës shëndetësorë janë dërguar në izolim shtëpiak dyjavor, njoftoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Kjo vjen si rezultat i asaj se drejtoresha e kësaj klinike është infektuar me virusin Korona, duke e çuar në katër numrin e të prekurve me COVID-19. Panik edhe te pacientët, një pjesë e tyre janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “8 Shtatori”. Në izolim shtëpiak janë edhe dy anëtarë të familjes së drejtoreshës.
“Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës do të jetë e mbyllur, pacientët do të ridrejtohen në repartet e tjera të dermatovenerologjisë që operojnë në qytet dhe në të gjithë vendin. U dërguan në izolim dyjavorë shtëpiak 64 të punësuar, 11 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar, por duke pasur parasysh se janë pacientë që, sipas njohurive të tanishme, mund të vazhdojnë mjekimin në kushte shtëpiake dhe 13 pacientë që janë mjekuar javën e kaluar në klinikë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe tha se janë kontaktuar të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt drejtoresha e klinikës gjatë javës së kaluar.
SANIJE DURAKU
