Shqipëri, gjashtë të infektuar me virusin Korona
Shkon në 6 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri...

Është rritur në gjashtë numri i të infektuarve me virusin Korona në Shqipëri. Siç ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, 3 prej 4 rasteve të reja janë prej familjes së djeshme.
Rasti tjetër është një 31 vjeçar me banim në Tiranë që para 6 ditësh është kthyer nga Milano.
Bëhet me dije se ata nuk shfaqin probleme serioze shëndetësore.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirmuan mbrëmjen e djeshme.
Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta. Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka pasur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.
Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta, bën të ditur Minsitria e Shëndetësisë. Deri tani janë testuar 77 raste, ndërsa pozitiv për COVID-19 kanë rezultuar 6 persona.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur menjëherë një mbledhje urgjente të qeverisë, me ç’rast është vendosur për një sërë masash përfshi ndërprerjen e mësimi për dy javë, ndërsa u pezulluan edhe fluturimet dhe udhëtimet drejt veriut të Italisë.
