Virusi Korona, rritet në shtatë numri i të infektuarve në RMV
Dje janë regjistruar katër persona me virusin korona në Maqedoninë e Veriut...

Dje janë regjistruar katër persona me virusin Korona në Maqedoninë e Veriut, duke e rritur në 7 numrin e të infektuarve në vend.
E infektuara e parë ishte drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës, ndërsa pozitiv kanë rezultuar edhe tre familjarët e çiftit nga Dibra që ditë më parë rezultuan me virusin Korona. Pesë të testuarit e tjerë kanë rezultuar negativ.
Siç bën të ditur Ministria e Shëndetësisë tre pacientët e rezultuar pozitiv nga 6 marsi ishin në izolim.
Në izolim janë vendosur edhe 193 persona, në mesin e të cilëve 103 persona të cilët kanë marrë pjesë në konferencën e dermato-venerologëve, 64 nga personeli mjekësor nga Klinika për sëmundje dermatologjike, 11 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikë dhe 13 pacientë të tjerë që kanë pranuar terapi ditore në klinikën e lëkurës në Shkup.
Po ashtu njoftohet se tre fëmijë të Shkollës Fillore “Vlado Tasevski” në Kozle ndodhen në izolim shtëpiak pasi dje është kërkuar që të gjithë dermatologët të cilët kanë qenë në seminar në Raguza duhet të izolohen në shtëpi.
Dy prind të këtyre tre fëmijëve kanë qenë në atë simpozium prandaj janë izoluar së bashku me familjet e tyre.
Po ashtu udhëheqësia e Shkollës “Koço Racin” kanë sjellë vendim që fëmijët të cilët jetojnë në afërsi të një rasti që ka rezultuar me korona virus të mos shkojnë në shkollë.
Po ashtu ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se Klinika për Sëmundje të Lëkurës është mbyllur. Pas infektimeve të reja me virusin korona në Maqedoninë e veriut VMRO-DPMNE ka kërkuar ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat e vendit.
