Italia në karantinë, Conte: I gjithë vendi zonë e kuqe, kufizoni lëvizjet
10.03.2020 13:05
E gjithë Italia prej mbrëmjes së të hënës është në karantinë totale...

Kryeministri, Giuseppe Conte, nënshkroi vendimin ekzekutiv për kufizime lëvizjeje në gjithë vendin në përpjekje për të penguar zgjerimin e virusit Korona. Në Itali numri i vdekjeve është rritur në 97 deri të martën në mëngjes, por ka edhe rreth 700 të shëruar që nga rasti i parë.
“Nuk ka më zona të kuqe, nuk do të ketë më zona 1 apo zonë 2, do të ketë një Itali të tërë si zonë e mbrojtur. Kjo do të thotë që njerëzit duhet të evitojnë lëvizjet në të gjithë territorin e vendit, përveç në 3 raste, për arsye të rëndësishme pune, arsye të rëndësishme urgjente dhe arsye shëndetësore. Gjithashtu ndalohen të gjitha tubimet publike. Po e shohim se ende lokalet natën janë plot me njerëz që pinë të pashqetësuar. Nuk do t’i lejojmë më grumbullimet e tilla, sepse janë rrezik burimi infeksionesh.”,- tha kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte.
OBSh: Rrezik real për pandemi, s’jemi në mëshirë të Kovid - 19
Udhëtimi gjatë fundjavës në Itali, ka bërë që edhe David Sassoli, presidenti i Parlamentit Evropian të vetëizolohet e të kryejë punën e tij nga shtëpia e tij në Bruksel për 14 ditët e ardhshme. OBSH paralajmëroi se ka një kërcënim shumë real për pandemi, por planeti nuk është në mëshirën e sëmundjes, edhe pse Kovid - 19 që ka vrarë më shumë se 4 mijë persona deri tani.
“Tani që virusi ka gjunjëzuar shumë shtete, rreziku për pandemi është bërë real, por kjo do jetë pandemia e parë në historinë e njerëzimit që mund të kontrollohet. Ne nuk jemi në mëshirë të virusit.”,- tha drejtori i OBSh-së, Tedros Ghebreyesus.
Në një veprim dramatik për të mbajtur koronavirusin nga zhvendosja në veri, Austriа po ndalon hyrjen e udhëtarëve nga Italia. Malta ka pezulluar të gjitha fluturimet në dhe jashtë Italisë. Austria, Britania dhe Irlanda kanë lëshuar këshilla udhëtimi. Teksa Italia është e gjitha në karantinë, Kina ka sinjalizuar progres në betejën e saj ndaj virusit Korona. Vetëm 17 viktima janë regjistruar të martën dhe numrin më të ulët të infeksioneve të reja, vetëm 19.
Ka shqetësime se SHBA mund të shndërrohet në një tjetër vatër të virusit me të paktën 26 viktima dhe 605 raste të konfirmuara deri tani. Të hënën, pasagjerët e një anijeje kroçerë të ankoruar në Kaliforni, me të paktën 21 persona në bord të diagnostikuar me virusin, u zbritën në tokë. Epidemia ka tronditur tregjet financiare duke shkaktuar miliarda dollarë humbje në shkallë globale.
BELINDA KOKA ADEMI
