Maqedoni

BDI: Duhet veting, kush “kapi” drejtësinë të përgjigjet

10.03.2020 15:36

BDI këmbëngul për veting gjithëpërfshirës...

BDI këmbëngul për veting gjithëpërfshirës. Sekretari organizativ i integristëve, Artan Grubi, thotë se duhet ndryshuar mënyra aktuale e funksionimit të gjyqësorit nga një sistem që funksionon përmes  porosive telefonike, në sistem drejtësie që vendos sipas ligjeve. Ai  thotë se për gjendjen aktuale duhet të mbajnë përgjegjësi gjykatësit, prokurorët dhe politikanët.
 
“Drejtësia në vend ka dështuar që nga fillimi i pavarësisë së RMV-së  deri më sot dhe për këtë bartin përgjegjësi të gjithë, gjykatësit, prokurorët dhe politikanët, dhe ne do të bëjmë çmos që ta çrrënjosim drejtësinë joselektive nëpërmjet vetingut. Tani kemi konstatuar dhe drejtësi selektive, drejtësi e cila vepron nëpërmjet telefonatës dhe jo të ligjit. Gjyqësori në vendin tonë është i kapur edhe nga “Sfarovski” dhe “Louis Vouiton”, ndërsa vetingu jonë do t’i çrrënjos që të dyja.”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
I pyetur nëse kur flet për politikanë që kushtëzojnë, a ka kushtëzuar ndonjëherë BDI gjyqësorin ose të tjerët, Grubi thotë se “i vetmi kushtëzim” i BDI-së mund të quhet kërkesa ndaj partnerëve qeverisës për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve.
 
“Kushte të tilla për të mbrojtur interesat e shqiptarëve do të vijojnë edhe më tutje, sepse janë përbetime tona programore dhe këtë do ta bëjmë pa marrë parasysh rezultatit zgjedhor.”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.
 
I pyetur përse Ali Ahmeti nuk del në debat me krerët e partive politike dhe nuk i përgjigjet thirrjes së kreut të ASH-së,  Grubi thotë se Ahmeti është i gatshëm për debat, por jo me liderë që debatet i llogarisin si dasma private ku mund të ftojnë kë të duan. Përkujton opozitën shqiptare të dalë me oferta konkrete e jo të merret vetëm me rrënimin e të arriturave të BDI-së.
 
GAZMEND REXHEPI