Maqedoni
Virusi Korona, opozita me vërejtje, kërkon përgjegjësi nga Filipçe
10.03.2020 15:50
VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, sepse sipas tyre dështoi në marrjen në kohë të masave parandaluese ndaj virusit Korona. Masat me të cilat lavdërohej Filipçe janë farsë dhe zbatohen vetëm pjesërisht, thonë nga VMRO-DPMNE.
“VMRO-DPMNE do të parashtrojë padi penale deri te Prokuroria Publike për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve. Qeveria bashkërisht me ministritë t’i ndërmarrin këto masa, pushim për fëmijët parashkollor dhe shkollor, evidentim të të gjithë personave që hyjnë në shtet nga zonat e krizës, kontroll dhe kufizim të intervenimeve të cilat nuk janë urgjente, institucionet kompetente, Qendra për Menaxhimin me Kriza, Inspektorati Shtetëror Sanitar, Komisioni për Sëmundje Infektive të zbatojnë kompetencat e tyre dhe të veprojnë.”,- deklaroi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Edhe ASh kërkon përgjegjësi nga ministri Filipçe.
“Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi institucionale dhe morale nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe i rekomandon atij që të dalë nga zona e rehatisë dhe t’i qaset me seriozitet më të lartë kësaj problematike.”,- u shpreh Bekim Tateshi nga Aleanca Për Shqiptarët.
Si masë konkrete ASh kërkon mbylljen për 2 javë të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”, të përgatitet plan për mjekim eventual të numrit më të madh të të sëmurëve, të sigurohen mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, pa përjashtim, si dhe të vendoset kontroll i rreptë në çdo pikë kufitare.
FLUTURA LATIFI
