Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare, partitë bëjnë gati listat e kandidatëve
10.03.2020 16:46
Partitë po përmbyllin listat e tyre të deputetëve për zgjedhjet e 12 prillit....

Në Kongresin e së hënës, LSDM vendosi emrat e kandidatëve. Listat e socialdemokratëve dhe partnerëve të koalicionit do t’i udhëheqin Nikolla Dimitrov, Oliver Spasovski, Lupço Nikollovski, Zoran Zaev, Radmilla Shekerinska dhe Bilall Kasami nga Besa.
“Këta janë personat që do të sjellin fitoren më 12 prill. Këta janë njerëzit që japin fjalën edhe para meje edhe para jush se do të punojnë me përgjegjësi, ndershmëri në procesin e vazhdimit të politikave të suksesshme.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE nuk do t'i paraqesë listat e saj në kongres, por vetëm në bordit qendror të partisë. Para prezantimit të listës së tyre, kanë analizuar mirë listën e oponentit politik.
“Kjo është listë për humbje. Zaev vjen me kuadër të vjetër të lodhur dhe të kompromentuar që duan t'u sigurojnë atyre imunitet parlamentar, sepse ashtu mendojnë se nuk do të përgjigjen. Vetëm kur shikojmë bartësit e listave të LSDM-së, menjëherë bëhet e qartë se kriteret kryesore për përzgjedhje ka qenë paaftësia ose kush i ka bërë dëm më të madh shtetit.”,- tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
BDI përmbyll listën zyrtare të mërkurën në mbledhjen e kryesisë qendrore, megjithatë bartësit dihen. Në njësinë e parë listën e kryeson Izet Mexhiti, në të dytën Arbër Ademi, në të tretën Bekim Neziri, në të 5 - Talat Xhaferi, kurse lideri integrist kryeson listën në njësinë e 6, ku edhe do të jetë arena e garës politike të liderëve.
“Janë njerëz me përgjegjësi të lartë, janë njerëz të dëshmuar në karrierën e tyre politike dhe njerëz që kanë bartur përgjegjësi në të kaluarën, por nuk kanë qenë deputetë... Mbi 90 për qind, ose më saktësisht mbi 95 për qind të kandidatëve për deputetë do të jenë kandidatë të rinj.”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.
Për Koalicionin Aleanca për Shqiptarët me Alternativën dihet vetëm se Zijadin Sela do të jetë bartës liste në njësinë e gjashtë, ndërsa Afrim Gashi në njësinë e dytë zgjedhore. Edhe PDSh pritet të garojë me kreun e saj, Menduh Thaçin, në njësinë e 6. Listën pritet ta publikojë në konventën partiake më 12 mars.
SANIJE DURAKU
