Maqedoni
Zgjedhjet 2020, fushata nuk ka nisur, premtimet kanë filluar
10.03.2020 17:12
Edhe pse fushata zgjedhore nuk ka filluar zyrtarisht, premtimet zgjedhore po jepen çdo ditë.....

Edhe pse fushata zgjedhore nuk ka filluar zyrtarisht, premtimet zgjedhore po jepen çdo ditë. LSDM premton punësime, rritje pagash edhe në mandate të ardhshëm, rritje të shtesave fëmijërore e ndihmës sociale.
“Mandatin tjetër planifikojmë 100,000 vende pune. Pagat vazhdojnë të rriten, do të kemi paga minimale prej 300 euro dhe pagë mesatare 600 euro. Deri në fund të mandatit të ri, 34,000 familje do të marrin ndihmën sociale, 65,000 fëmijë do të marrin shtesat për fëmijë, 10,000 fëmijë do të kenë kushte moderne për rritje.”,- tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-SË, Ljupço Nikollovski.
Edhe VMRO-DPMNE premton rritje pagash me theks të veçantë për personelin shëndetësor për të parandaluar ikjen e mjekëve.
“VMRO-DPMNE është e angazhuar për rindërtimin e tërësishëm të sistemit të sigurisë duke siguruar pagë 20% më të larta për të gjithë. Ne duhet të kemi punonjës të kënaqur në sistemin e kujdesit shëndetësor që do të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu në vend. Është parashikuar rritje lineare në një afat katërvjeçar prej 20% të pagave të mjekëve, stomatologëve, personelit mjekësor të nivelit të mesëm dhe stafit teknik dhe administrativ.”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
Me premtime për përmirësimin e jetës së qytetarëve ditët e fundit kanë dalë edhe partitë e tjera politike.
FITIM KRYEZIU
