Maqedoni
Virusi Korona, mbyllen çerdhet, shkollat dhe universitetet
10.03.2020 17:35
Të gjitha çerdhet, shkollat dhe institucionet tjera arsimore do të mbyllen për 14 ditët...

Të gjitha çerdhet, shkollat dhe institucionet tjera arsimore do të mbyllen për 14 ditët e ardhshme si masë preventive nga përhapja e virusit Korona. Ndalohen edhe të gjitha tubimet masive në hapësira të hapura dhe të mbyllura me mbi 1000 pjesëmarrës, si dhe eventet kulturore dhe manifestimet e ndryshme. Rekomandohet që të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike të zvogëlojnë lëvizjet dhe të evitojnë transportin publik.
“Të ndërpritet procesi arsimor në të gjitha çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në 14 ditët e ardhshme, të lirohen punëtorët nga obligimet në këto institucione. Njëri prind për fëmijë deri në moshën 10 vjeçare lirohet nga puna në 14 ditët e ardhshme si në institucionet private e po ashtu ato publike. Ndërpritet edhe procesi mësimor në arsimin e lartë. Gjithashtu ndërpriten tubimet publike në terrene të hapura dhe të mbyllura me mbi 1000 pjesëmarrës në 14 ditët e ardhshme, ndërsa rekomandohet të anulohet dhe të mos mbahen as ngjarje nën këtë numër.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nuk ka raste të reja, po testohet një 16-vjeçare
Raste të reja të të infektuarve nuk ka. 7 pacientët e infektuar tashmë janë me fotografi të lehtë klinike dhe në ato vende është vendosur sigurim policor. Priten rezultatet për një paciente 16 vjeçare.
“Testohet vetëm një paciente, nuk ka raste të reja të regjistruara sot. Bëhet fjalë për një paciente 16-vjeçare e cila ka shenja jospecifike të sëmundjes respiratore.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nga Ministria e Shëndetësisë apelojnë gjithashtu që qytetarët të cilët kanë qenë në ndonjë nga rajonet e rrezikuara në Italinë veriore, të qëndrojnë në vetë izolim 14 ditë, pasi që në këtë mënyrë mbrohet familja dhe bashkëqytetarët, ndërsa nëse gjatë kohës së izolimit ndjejnë simptoma, ta kontaktojnë Qendrën Lokale për Shëndet Publik.
ZEKIRJA MEXHITI
