Botë
Virusi Korona në Shqipëri, 10 persona të prekur, 114 u janë nënshtruar testeve
10.03.2020 17:55
Ka shkuar në 10 numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri.....

Në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë u janë nënshtruar testeve 114 persona dhe po bëhen gati tre spitale ku do vendosen në karantinë të prekurit eventual. Kryeministri, Edi Rama, e quajti situatën mjaft kritike, duke e krahasuar me gjendjen e luftës. I ndodhur në këto kushte, ai i bëri thirrje presidentit dhe kreut të opozitës për të bashkëpunuar.
“Është një armik. Ky virus është një armik, do të bëjmë çmos që të përballojmë këtë armik dhe do ta vrasim si një armik. Do të zvogëlojmë plagët, dhimbjet dhe humbjet. Zbatoni rregullat, se nëse dikush vendos të vrasi vetën, shteti është i detyruar ta ndalojë, por këtu jemi në kushtet që një person po luan me veten dhe me të tjerët duke i bërë karshillëk një armiku që s’ka vesh e zemër. Të thyen në mes e të këput gjunjët. Po e bën me Italinë, që ka një sistem shëndetësor elitë.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Më herët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi autoritetet shëndetësore se po shpërndajnë maska të skaduara. Ai tha se kjo është një dëshmi e gjallë se shteti është i papërgatitur për të përballuar këtë situatë.
“Personeli shëndetësor rrezikon me maska të skaduara. Ata kthehen në viktimat e para dhe transmetues të virusit te qytetarët. Kjo është papërgjegjshmëri totale. Kapacitetet aktuale nuk kalojnë 120 njësi të përgatitura për të trajtuar 120 të infektuar, që ju kërcënohet jeta. Kjo është kronikë e një dështimi.”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Duke filluar nga mbrëmja e kësaj të marte, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë fluturim apo lundrim drejt Italisë.
LULJETA NDOKA
